Sanksionet zbulojnë misterin që i rrethon vajzat e Putinit

  • E.K /
  • 07 April 2022 - 13:05
Sanksionet zbulojnë misterin që i rrethon vajzat e Putinit

Shtetet e Bashkuara shtojnë presionin ndaj Vladimir Putin duke vënë në shënjestër të sanksioneve dy vajzat e tij. Zyrtarët amerikanë besojnë se presidenti rus po përdor fëmijët e tij për fshehjen e parave dhe aseteve të tjera. Masat zbulojnë informacione të reja mbi jetën deri tani të mistershme të vajzave të Putin.

Ato janë mes sekreteve të ruajtura më me fanatizëm nga Kremlini. Vajzat e rritura të Vladimir Putin me gruan e tij të parë, të dyja në të 30-tat, janë vënë në shënjestër të sanksioneve. Një zyrtar i lartë i administratës Biden konfirmon emrat e tyre; Mariya Putina, e cila besohet të jetë vajza më madhe dhe që njihet gjithashtu si Mariya Vorontsova. Katerina Tikhonova, është vajza e dytë.

Në disa imazhe, ajo shfaqet teksa flet në një forum ekonomik ndërkombëtar në Shën Pjetërburg.

“Vajzat e mia merren me shkencë dhe arsim. Ato nuk janë të përfshira me politikë, por kanë jetë të thjeshtë”, ka thënë Putin për to në vitin 2017.

Putin ka qenë aq i rezervuar për vajzat e tij, sa analistëve u është dashur të mbushin disa prej boshllëqeve të mozaikut misterioz.

Sipas analistëve, Mariya është në sistemin e shëndetësisë në Moskë. Vajza më e vogël, Katerina, punon në një institut të lartë në universitetin shtetëror të Moskës. Dihet se kanë udhëtuar shumë, veçanërisht në Perëndim. Njëra prej tyre, Katerina ka qenë martuar me një prej miliarderëve më të rinj të Rusisë. Ajo ka pasur gjithashtu një karrierë si akrobate e “rock n’ roll”-it. Për tjetrën, Mariyan, nuk ka shumë informacion. Më e vogla e dy vajzave në moshë madhore, Katerina Tikhonova, ka qenë e martuar me miliarderin Kirill Shamalov, por tani janë të divorcuar.

Parehatia e Putinit për të folur lidhur me fëmijët e tij, është vënë re në një sërë intervistash  me regjisorin amerikan Oliver Stone, ku pranoi se kishte edhe nipër, por luante shumë pak me ta, siç tha.

Sipas ekspertëve amerikanë të çështjeve të sigurisë, ai është më i interesuar të shfaqet në Kishën Ortodokse, në situata ushtarake, apo duke kalëruar pa bluzë për të projektuar fuqinë e tij. “Ky është pushtet… Familja, në një farë mënyre është dobësi”.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se SHBA-ja po godet me sanksione vajzat e Putinit, pasi besohet që shumë prej aseteve të presidentit rus, si para e objekte luksi, janë të fshehura te pjesëtarët e familjes.

(Kosova Sot Online)