“Mos na qitni petlla në ujë”, Haliti VV’së: Zbardheni të vërtetën për Telekomin, e keni pushtetin

  • E.K /
  • 07 April 2022 - 13:49
“Mos na qitni petlla në ujë”, Haliti VV’së: Zbardheni të vërtetën për Telekomin, e keni pushtetin

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti tha se po i bën përshtypje se si Qeveria nuk po tregon se kush ka vjedhur, ndonëse tha se “keni arrit me e zbulu hajninë e madhe për 20 vjet”.

Haliti, duke iu përgjigjur ministrit të Financave, Hekuran Murati, tha se LVV-ja e ka pushtetin dhe mund ta bëjë këtë.

“Mirë bre. A e keni pushtetin? A ka gjykata këtu? A ka prokurori këtu? Rrugët për t’u rregulluar këto çështje. Rruga për ta saktësu të vërtetën rreth asaj se a është dikush i inkriminuar dhe a duhet të përgjigjet para drejtësisë, është rruga e drejtësisë, rruga e organeve të ndjekjes”, tha ai.

Më tej, Haliti e citoi ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, ndërsa e këshilloi qeverinë që të punojë.

“Mos na shitni… mos na qitni petlla në ujë, që thojke Jakup Krasniqi. Ju keni obligimin e juaj, punoni si qeveri”, tha ai.

“I keni trashëgu të gjitha, e keni trashëgu edhe lirinë nga ata që i quani hajdut dhe vazhdoni me përmirësimin e gabimeve të atyre, përmirësojeni vetveten, e mos hajdeni çdo seancë me na tregu..”, tha në fund deputeti i PDK-së.

(Kosova Sot Online)