Blerim Latifi për “gëzimin” e Ramës që Serbia votoi pro pezullimit të Rusisë: Mjerimi politik brina nuk ka

  • E.K /
  • 08 April 2022 - 10:52
Blerim Latifi për “gëzimin” e Ramës që Serbia votoi pro pezullimit të Rusisë: Mjerimi politik brina nuk ka

Profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi, e ka quajtur mjerim politik reagimin e menjëhershëm të Edi Ramës për ta përgëzuar Serbinë që votoi pro pezullimit të Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në OKB.

Latifi ka shkruar se pasi Vuçiq doli e tha se e kanë pasë ndërmend të abstenojnë por votuan pro përshkak të presionit, Ramës i mbetet ta gjejë një frazë tjetër për ta mbuluar fytyrën e Vuçiqit.

“Dje Serbia votoi pro përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Rama, i paduruar për ta parë Vuçiqin në anën e duhur të historisë, doli dhe e përshëndeti këtë votim. Nuk vonoi dhe erdhi shpjegimi i Vuçiqit: votuam për shkak të presionit e shantazhit të madh, sepse e kishim ndërmend të abstenonim. Tash, Ramës, që po brengoset aq shumë për fytyrën e Vuçiqit, i mbetet të gjej një frazë tjetër për ta mbuluar atë që vetë Vuçiqi nuk po do ta mbulojë. Mjerimi politik brina nuk ka”, ka shkruar Latifi.

Pasi Serbia votoi pro suspendimit të Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, erdhi reagimi I menjëhershëm i kryeministrit Edi Rama i cili e quajti lajm të mirë rreshtimin e Serbisë me perëndimin.

(Kosova Sot Online)