“Po kthehen në përbindësha”, Zelensky: Ata filluan një luftë dhe sillen sikur ne jemi fajtorë

  • E.K /
  • 11 April 2022 - 08:21
“Po kthehen në përbindësha”, Zelensky: Ata filluan një luftë dhe sillen sikur ne jemi fajtorë

“Populli më i guximshëm i vendit më të mirë në botë”.

Kështu i ka quajtur Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ukrainasit përmes një mesazhi që ka përcjellë të dielën vonë.

“Ne po i afrohemi fundit të një jave tjetër“, tha Zelensky në fjalimin e tij, të cilin e ka mbajtur rregullisht gjatë sulmit të Rusisë ndaj vendit. “Lufta jonë për liri, për shtetin. Një javë tjetër që Ukraina mbeti gjallë, me gjithë përpjekjet e Rusisë për të na shkatërruar. Ne po luftojmë. Ne po mbrohemi. Ne po zmbrapsim sulmet”.

Zelensky tha se vendi i tij po bën gjithçka që mundet për të fituar luftën dhe akuzoi udhëheqjen ruse se po përpiqet për të hequr fajin.

“Kur frika rritet, gjithçka kthehet në katastrofë“, vazhdoi ai. “Kur njerëzit nuk kanë guxim të njohin gabimet e tyre dhe të kërkojnë falje, të përshtaten me realitetin dhe të shohin se po kthehen në përbindësha”.

Presidenti ukrainas tha se Rusia ka humbur kontaktin me realitetin, duke vepruar si agresore, por duke fajësuar Ukrainën për veprimet e kryera nga trupat ruse, duke përfshirë vrasjet në Bucha, sulmin me raketa në stacionin e trenit në Kramatorsk dhe “çdo qytet të shkatërruar dhe fshat të djegur. ”

“Ata kanë shkatërruar jetët e miliona njerëzve. Ata filluan një luftë në shkallë të gjerë dhe sillen sikur ne jemi fajtorë për këtë”, vazhdoi Zelensky.

Ai shtoi se Rusia, nga frika e humbjes, do të nisë më shumë veprime luftarake në shkallë të plotë në lindje të Ukrainës.

“Por ne jemi gati”, tha presidenti, duke premtuar se Ukraina do të sigurojë që të ketë armë të mjaftueshme dhe do të kërkojë sanksione më të forta kundër Rusisë në mënyrë që drejtësia të vihet në vend.

Pak para fjalimit të tij, Zelensky tha se ai nderoi “18 mbrojtësit e Ukrainës” – duke përfshirë anëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Shërbimin Special të Komunikimit dhe oficerët e policisë – për heroizmin e tyre. Ai falënderoi edhe gazetarët që ndajnë të vërtetën e asaj që po ndodh në vend.

“E vërteta do të fitojë dhe Ukraina do të fitojë,” tha Zelensky. “Kjo është e sigurt. Lavdi Ukrainës.”

(Kosova Sot Online)