Albin Kurti kundër Shqipërim Arifit, kërkon mos të shkarkohet Ardita Sinani

  • E.K /
  • 11 April 2022 - 11:51
Albin Kurti kundër Shqipërim Arifit, kërkon mos të shkarkohet Ardita Sinani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e përkrah iniciativën për shkarkimin e Ardita Sinanit nga pozita e kryetares së Preshevës. Gjatë një takimi të zhvilluar sot me përfaqësuesit e Luginës, ku e pranishme ishte edhe Sinani, Kurti ka diskutuar rezultatet e zgjedhjeve në Serbi veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare. Kryeministri ka theksuar se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, përcillet me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë.

Prandaj, kryeministri Kurti kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, “vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit”.

Si rrjedhojë, Kurti bënë thirrje të mos mbështeten tentimet për acarim mes shqiptarëve, pjesë të së cilës e sheh edhe synimin për ta rrëzuar nga pozita e kryetares së Preshevës Ardita Sinianin.

“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm” u shpreh kryeministri Kurti, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Tutje, ai thotë se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës.

Kujtojmë se Ardita Sinani ka njoftuar dje se është thirrur seancë e jashtëzakonshme për shkarkimin e saj.

Prandaj, ka kërkuar shtyerjen e seancës pasi sot ka pasur të udhëtojë në Prishtinë për të zhvilluar takim me Kurtin.

(Kosova Sot Online)