Në Kosovë partitë janë “pikë e pesë”, Kurti u flet për unitet përfaqësuesve të Luginës

  • E.K /
  • 11 April 2022 - 13:24
Në Kosovë partitë janë “pikë e pesë”, Kurti u flet për unitet përfaqësuesve të Luginës

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, kryeministri Albin Kurti i priti sot në zyrën e tij me mesazhe të qarta për unitetin e nevojshëm politik atje.

Vetë Kurti nuk shquhet si lider përafrues në Prishtinë. Ai dhe liderët e partive opozitare nuk bien dakord për pothuajse asnjë çështje, ashtu siç nuk pajtohej me krerët e institucioneve kur ishte në opozitë.

Me PDK-në, LDK-në e AAK-në, LVV-ja e Kurtit rëndom nuk pajtohet kurrsesi. As ato nuk pajtohen me LVV-në. Kryeministri nuk ka dakordim me opozitën dhe partitë jashtëparlamentare as për çështjen e dialogut me Serbinë.

Duke folur për pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna, Kurti tha sot se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha. Kjo u veçua nga Kurti si një nga arsyet e rezultatit jo të kënaqshëm për shqiptarët nga zgjedhjet serbe. Së dyti e theksoi mungesën e unitetit.

“Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore”, citon Zyra e Kryeministrit të ketë thënë kryeministri në takim.

Kurti tha se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna “kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës”, duke përmendur politikat diskriminuese e shtypëse të Serbisë.

Ai doli kundër shkarkimit të kryetares aktuale të Preshevës, Ardita Sinani, gjë që po synon ta bëjë ish-kryetari Shqiprim Arifi me partinë e tij “Alternativa për Ndryshim”. Ai, siç tha ZKM, nuk ishte në takim “pavarësisht ftesës”. Përveç tij, në takim nuk mori pjesë as kryetari i Kuvendit të Preshevës dhe kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.

“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani”, tha Kurti, duke shtuar se “përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm”.

Në këtë takim morën pjesë kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri, kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu, kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, Arben Ferati.

Përveç Shqiprim Arifië takim nuk mori pjesë as kryetari i Kuvendit të Preshevës dhe kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.

(Kosova Sot Online)