Një portal i Luginës e krahason Albin Kurtin me Aleksandar Vuçiqin

  • E.K /
  • 11 April 2022 - 15:39
Një portal i Luginës e krahason Albin Kurtin me Aleksandar Vuçiqin

Takimi i sotëm i kryeministrit Albin Kurti me përfaqësuesit e Luginës, një portali në Preshevë i është dukur “ngjasim i zbehtë” me veprimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Portali “Presheva.com” ka shkruar se “le të kuptohet se po thiret takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, mënyra se si Kurti i ka ftuar në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë.

“Më vie shumë keq se si kryeministri i cili është personaliteti më i votuar në Kosovën e pasluftës toleron gabime të këtilla. Dikush, me siguri ka dashur ta fus në kurth z. Kurti që ai t’i ngjasojë Aleksandar Vuçiqit me qasjen e tij ndaj listës „Srpska“”, shkruan ky portal.

Aty përmendet ish-kryediplomati shqiptar Gent Cakaj si “i vetmi që punoi në unifikim”

“I vetmi që punoi në unifikim ishte ish kryediplomati shqiptar, Gent Cakaj. Ai, në vitin 2020, për tre ditë qëndroi në Preshevë dhe u largua vetëm atëherë kur u arrit unifikimi. Pas kësaj periudhe, gjithçka nga Prishtina dhe nga Tirana ishte vetëm për fotografi dhe asgjë më tepër”, shkruan “Presheva.com”.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, kryeministri Albin Kurti i priti sot në zyrën e tij me mesazhe të qarta për unitetin e nevojshëm politik atje.

Në këtë takim morën pjesë kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, Naser Aziri, kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu, kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, Arben Ferati.

Në takim mungoi Shqiprim Arifi, kryetar i partisë “Alternativa për Ndryshim”. Ai, siç tha ZKM, nuk ishte në takim “pavarësisht ftesës”. Përveç tij, në takim nuk mori pjesë as kryetari i Kuvendit të Preshevës dhe kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu.

(Kosova Sot Online)