Planet serbe për vrasjen e Dick Martyt, Kurti flet pas 3 ditësh, Presidentja hesht

  • E.K /
  • 12 April 2022 - 12:15
Planet serbe për vrasjen e Dick Martyt, Kurti flet pas 3 ditësh, Presidentja hesht

Kryeministri Albin Kurti, pas tre ditë heshtje ka folur sot kur është pyetur në konferencën për gazetarë lidhur me planet e shërbimit sekret serb për vrasjen e senatorit zviceran Dick Marty. Shefja e Shtetit, Vjosa Osmani akoma s’është deklaruar për këtë çështje.

“Sa i përket çështjes Marty, ku kësaj radhe ai nuk është autor por protagonist, mund të them që shteti dhe populli i Kosovës e kanë ditur gjithmonë se kush është Serbia. Mirëpo, unë shpresoj e uroj që QUNTI në Beograd, Bashkimi Evropian në përgjithësi ta ngrisin këtë çështje me presidentin atje dhe me të gjitha organet shtetërore , sepse kjo është një akuzë e jashtëzakonshme e cila i tejkalon çfarëdo përmasash individuale, përfshin një shtet të tërë”, tha Kurti para gazetarëve.

Ai foli edhe për të bëmat e shërbimit sekret serb në kohën e Ish-Jugosllavisë dhe ekzekutimet e intelektualëve shqiptarë gjatë viteve 70-të e 80-të.

“Ju e dini shumë mirë se Shërbimi Sekret i Serbisë, gjatë viteve të 70’ta e 80’ta , jo vetëm të 90’ta, ka vrarë shumë patriotë e veprimtarë shqiptar, andaj këtë mënyrë të punës së tyre të mbrapshtë, ata e kanë të ushtruar ndër dekada. Ndër ata që u vranë, ju e dini shumë mirë janë edhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, prindi dhe xhaxhai i Ministres sonë të Punëve të Jashtme, e Kadri Zeka e deri te Enver Hadri e shumë të tjerë”, tha Kurti.

Ai ka përmendur edhe rastin Panda, ku ishin vrarë të rinjtë serbë në Pejë që të fajësohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Opinioni publik në Serbi është i njoftuar për rastin Panda në Pejë ku janë vrarë të rinjtë serbë që të fajësohet UÇK-ja dhe më pas në emër të kësaj janë vrarë civilët shqiptarë. Pra kjo është një metodë e njohur e Shërbimti Sekret Serb në veçanti për shtetin dhe popullin e Kosovës që e ka përjetuar këtë në përvojën e vetë të hidhur. Por, besoj që është koha e fundit që QUINTI në Beograd dhe Bashkimi Evropian që ta ngrisin këtë çështje, me strukturat shtetërore në Serbi”, ka thënë Kurti.

Kreu i Qeverisë ka thënë se do të bashkëpunojnë me shtetin zviceran për këtë rast, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Ne përmes Ministrisë sonë të Brendshme do të bashkëpunojmë me shtetin zviceran më shumë për këtë rast. Por gjithashtu ne jemi të interesuar që kjo të zbardhet deri në fund, sepse nuk mjafton që të bëhet denoncimi, të shpjegohet se në 16 muajt e fundit senatori Dick Marty paska pasur një mbrojtje super speciale për shkak të një rreziku të panjohur. Pra, nuk mjafton ky denoncim. Duhet të sqarohen shkaqet, rrethanat dhe informacioni tjetër, sepse qartazi kjo nuk ka të bëjë vetëm me Dick Martyn, por edhe me Kosovën dhe shqiptarët” ka thënë Kurti.

(Kosova Sot Online)