Duke e pritur 24 prillin, çfarë përpjekje bëri Emmanuel Macron për dialogun Kosovë -Serbi

  • E.K /
  • 12 April 2022 - 15:36
Duke e pritur 24 prillin, çfarë përpjekje bëri Emmanuel Macron për dialogun Kosovë -Serbi

Herë me kancelaren Merkel, e herë i vetëm, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka qenë i përfshirë aktivisht në procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe në zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Nga viti 2018 deri në vitin 2021, Macron ka takuar zyrtarët më të lartë të shtetit, duke filluar me Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Avdullah Hotin e Albin Kurtin. Macron sot është në luftë për të siguruar mandatin e dytë të tij si president i Francës, përballë Marie Le Pen. Macron dhe Le Pen do të përballën në një raund të dytë zgjedhjesh më 24 prill.

Dialogu për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe procesi i liberalizimit të vizave, janë dy çështje për të cilat s’mund të diskutohen pa e përmendur rolin e Francës dhe të presidentit, Emmanuel Macron. Kjo për shkak të rolit aktiv që Macron ka pasur në procesin e negociatave Prishtinë-Beograd nga viti 2019 deri në vitin 2021 dhe gjithashtu edhe për shkak të qëndrimit skeptik të Francës sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për këto dy tema, Macron ishte bërë protagonist në takimin e parë që kishte organizuar në bashkëpunim me Angela Merkelin sa ishte kancelare e Gjermanisë në vitin 2019 në Berlin. Ky  takim ku kishin marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Ramush Haradinaj si shef i Qeverisë së Kosovës ishte përcjellë me tensione, për të cilat Edi Rama do të rrëfente më vonë.

Rama teksa fliste për ndodhitë brenda takimit, kishte treguar se si presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e kishte lutur Ramush Haradinajn që të hiqte taksën kundër Serbisë dhe si kundërpeshë për një kërkesë të tillë i kishte dhënë fjalën Haradinajt që do të kujdesej bashkë me kancelaren Merkel që Kosovës t’i liberalizoheshin vizat pas brenda një periudhe 3-4 mujore.

Për ta pranuar një ofertë të tillë, Haradinaj kishte thënë se i ishte bërë shumë presion nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi si president, megjithatë kreu i AAK-së nuk kishte ndërruar mendje.

Kjo çështje kishte bërë që përplasja Rama-Haradinaj të vazhdonte me vite, madje kreu i Qeverisë shqiptare e kishte paditur Haradijan për shpifje.

Duke parë se Samiti i Berlinit i mbajtur më 29 prill 2019 nuk pati ndonjë rezultat, Macron dhe Merkel në tentimin e tyre për të zhbllokuar negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë, kishin planifikuar edhe organizimin e një Samiti të ngjashëm në kryeqytetin e Francës.

I planifikuar të mbahej më 1 korrik 2019, Samiti i Parisit kishte dështuar, si rezultat i mosndryshimit të qëndrimeve. Haradinaj e Thaçi pas dështimit të Samitit fajësonin njëri-tjetrin.

Në pamundësi të organizimit të një Samiti bashkë me Merkelin, Macron ishte kujdesuar që në nëntorin e vitit 2019 të ftonte në Paris, Hashim Thaçin, në atë kohë president dhe shefin e shtetit të Serbisë, Aleksander Vuçiqin. Më të dy presidentët, Macron ishte takuar një ditë më herët veç e veç.

Thaçi dhe Macron ishin takuar në Paris edhe në marsin e vitit 2018 në kuadër të një Samiti për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë Macron nuk kishte pushuar përpjekjet e tija për organizimin e Samitit në Paris. Pas një viti, më 10 korrik 2020,  plotësisht në rrethana të tjera politike, kreu i Pallatit të Elizesë kishte organizuar Samitin në mënyrë virtuale. Në këtë takim, Kosova ishte përfaqësuar nga Avdullah Hoti si kryeministër, derisa Serbia nga presidenti, Aleksander Vucic. Në takim kishte marrë pjesë edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Tre ditë para këtij samiti virutal, numri një i Francës, Emmanuel Macron, e kishte pritur në Pallatin e Elizesë, kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, ku ishte diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi dhe për raportet bilaterale mes Francës dhe Kosovës.

Ndërkohë pavarësisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe ndryshimit të Qeverive, Macron e vazhdonte përpjekjen e tij për protagonizëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti francez ishte kujdesur që në Elizë ta takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Kurti kishte udhëtuar për në Paris më 23 korrik të 2021-ës, ku kishte diskutuar me Macronin për zhvillimet në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe në përgjithësi Ballkanin Perëndimor.

(Kosova Sot Online)