Mësimdhënësit nuk tërhiqen, hyjnë në ditën e tretë të grevës

  • E.K /
  • 13 April 2022 - 15:30
Mësimdhënësit nuk tërhiqen, hyjnë në ditën e tretë të grevës

Moti i bukur dhe me diell është në favor të mësimdhënësve të cilët janë në ditën e tretë të grevës. Përveç hapësirave të posaçme brenda shkollës, shumica orarin e caktuar për grevë e kaluan në oborret e shkollës. Mësimdhënësit në Haraçinë thonë se greva ishte e patjetërsueshme për shkak të gjendjes së mjerueshme të punonjësve në arsim.

“Shkolla jonë ka të punësuar mbi 100 arsimtarë dhe të gjithë, deri te i fundit e përkrahin grevën. Na vjen shumë keq që fëmijët janë ata të cilët më shumë e pësojnë këtë por nuk kishte zgjidhje tjetër”, tha Shqipe Buçi, SASHK, sh.f “Gj.K. Skënderbeu” Haraçinë.

“Edhe pse nuk jam anëtare e sindikatës, ne të gjithë jemi një dhe të gjitha të drejtat mendoj se duhet ti kemi të barabarta dhe të trajtohemi ashtu siç e meriton një mësimdhënës i arsimit. Profesioni i mësimdhënies në aspektin edukativo-arsimor dhe nga vet ana e mësimdhënësve është në nivelin e duhur mirëpo nga pjesa tjetër, nga përkrahja e shtetit është shumë i ulët”, u shpreh Edisa Jusufi, mësuese, sh.f “Gj.K. Skënderbeu” Haraçinë.

Në shkollën “7 Marsi” në komunën e Çairit, në grevë i gjithë kuadri, përveç drejtorit të shkollës.

“Te shkolla jonë, anëtarë të sindikatës janë mësimdhënës, administratë dhe personel teknik, të gjitha strukturat janë të përfshirë në këtë grevë. Duhet të bëhet çdo provë që t’ia arrijmë qëllimit, të rriten pagat”, pohoi Zekirija Livoreka, SASHK, sh.f “7Marsi” Çair.

Krahasuar me dy ditët e kaluara të grevës, sot në çerdhen “Fidani” në Çair numri i fëmijëve që kërkuan përkujdes ishte më i lartë. Drejtorja Gëzime Bakiu tha se në të njejtin moment po respektohet edhe e drejta për grevë dhe përkujdesja e fëmijëve.

“.. numri i fëmijëve ka filluar të rritet, ditën e parë dhe të dytë kishim 16 fëmijë kurse sot ka mbërritur deri në 24. Kemi një pjesë të cilët janë pjesë e grevës dhe pjesa e mbetur të cilët janë në sindikatë, e përkrahin grevën mirëpo po ashtu punojnë edhe me fëmijët, i kryejnë obligimet  e tyre, është edhe pjesa tjetër që nuk janë pjesë e sindikatës që punojnë me fëmijët.”, u shpreh Gzime Bakiu, drejtoreshë e çerdhes “Fidani”.

Punonjësit në çerdhe dhe arsim mbeten në qëndrimin për rritje të pagave për 18,4 % si dhe zbatim të marrëveshjes kolektive.

(Kosova Sot Online)