Miratohet në parim projektligji për KPK-në, nis reforma në sistemin prokurorial

  • E.K /
  • 14 April 2022 - 13:10
Miratohet në parim projektligji për KPK-në, nis reforma në sistemin prokurorial

Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, është miratuar në parim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Me këtë hap, Ministria e Drejtësisë thotë se do ta reformojë sistemin prokurorial në Kosovë.

Pro këtij projektligji votuan 79 deputetë, prej të cilëve 63 deputetë votuan për, ndërsa 16 ishin kundër.

Ky projektligj parasheh zvogëlimin e anëtarëve të KPK-së nga 13 në shtatë anëtarë, mes të cilëve tre do të jenë joprokurorë. Përbërja e re e KPK-së do të ketë dy prokurorë nga prokuoritë themelore, një nga Apeli ose Specialja dhe kryeprokurorin e Shtetit. Kuvendi do t’i i zgjedh dy anëtarë joprokurorë të KPK-së si dhe do të dërgohet si anëtar një përfaqësues nga Avokati i Popullit.

Përbërja aktuale e KPK-së së fundmi e votoi unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, proces i cili ngjalli reagim nga ndërkombëtarët, të cilët shprehën shqetësimin dhe zhgënjimin e tyre.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e prezantoi projektligjin në seancën e kaluar, kishte thënë se gjashtë nga nëntë prokurorëve aktualë në KPK do t’iu ndërpritet mandati me ndryshimet e reja në ligj. Tre, të cilët do të mbeten aty deri në përfundim të mandatit, do të përzgjidhen me një short, ka thënë ajo.

Haxhiu ka theksuar se me ndryshimet e reja, kryeprokurori s’do të mund të dërgojë prokurorë nga një prokurori në tjetrën.

Për plotësimin e përbërjejes së KPK, Haxhiu ka paralajmëruar se “do të organizohen zgjedhje në nivel të të gjitha prokurorive ku mund të votojë secili prokuror”.

(Kosova Sot Online)