Osmani nga Mitrovica: Interesimi im është që sa më parë t’i vizitoj të gjitha komunat në veri

  • E.K /
  • 14 April 2022 - 13:26
Osmani nga Mitrovica: Interesimi im është që sa më parë t’i vizitoj të gjitha komunat në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka qëndruar për vizitë në komunën e Mitrovicës, nga ku tha se ka interes që të vizitojë edhe komunat veriore.

Në një konferencë, Osmani tha se ka në plan të vizitojë të gjitha komunat e Kosovës, pa i përjashtuar edhe ato ku jetojnë komunitetet joshumicë.

“Jemi në komunikim edhe me komunat që udhëhiqen nga komunitetet joshumicë, sepse pavarësisht etnisë që i takojnë janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe ne i përfaqësojmë ata pa dallim. Në momentin që caktohet një datë që i përshtatet të dyja palëve, sepse duhet t’i përshtatet edhe kryetarit të komunës respektive, natyrisht që unë do të jem aty. Gjatë ditëve në vijim do të kemi edhe shumë udhëtime jashtë vendit, kështu që është e domosdoshme që të bashkëpunojmë me të gjithë kryetarët”.

“Interesimi im është që edhe në veri të jetë vizita sa më parë që është e mundur në komunën e Mitrovicës Veriore, por edhe në komunat në veri. Duhet të ulemi të diskutojmë edhe me ta për kërkesat që i kanë, sfidat me të cilat ballafaqohen”.

Osmani tha se interesimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është që bashkëpunimi me komunat të jetë i fokusuar në interesat e qytetarëve pa dallim.

E para e vendit përmendi problematikat në veri të vendit, për të cilat tha se po iu krijojnë probleme të çdoditshme qytetarëve në mohimin e ushtrimit lirshëm të të drejtave, pavarësisht etnisë që iu takojnë.  

“Ju e dini që në veri të vendit për fat të keq ka probleme të sundimi të ligjit që janë krijuar nga bandat ilegale që financohen dhe mbështeten nga Serbia. Pra, problemi nuk është te qytetarët që jetojnë aty, qytetarë serbë, qytetarë shqiptarë, qytetarë të komunitetit rom, ashkali, egjiptian, turq, boshnjakë, problemi gjithnjë ka qenë me njerëz që ilegalisht kanë kryer krime, i kanë frikësuar qytetarët, ua kanë mohuar shpeshherë edhe të drejtën e tyre të lirë në votim. Të gjitha këto që po i them janë të konfirmuara edhe në raporte ndërkombëtare”.

(Kosova Sot Online)