Kurti flet për përbërjen e ardhshme të KPK-së: Ky është vetëm fillimi i reformës

  • E.K /
  • 14 April 2022 - 13:51
Kurti flet për përbërjen e ardhshme të KPK-së: Ky është vetëm fillimi i reformës

Kryeministri Albin Kurti i ka dhënë disa këshilla për përbërjen e ardhshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cila parashihet të ndryshohet me ndryshimin e ligjit për KPK-në, që sot u miratua në parim në Kuvend.

Kurti ka shkruar në Facebook se ky projektligj është jetik për shtetin e së drejtës. Opozita e ka kritikuar këtë dhe sheh se do ta bëjë sistemin prokurorial të varur nga politika.

“Më në fund do të arrihet balanci ndërmjet anëtarëve të përzgjedhur prokurorë dhe atyre jo prokurorë. Në këtë mënyrë, ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të KPK-së nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokurorëve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit për kategori të tilla”, shkroi ai.

Kryeministri tha se përbërja e ardhshme e KPK-së ka “përgjegjësi të madhe e unike”.

“Përbërja e ardhshme e Këshillit Prokurorial ka përgjegjësi të madhe e unike – të tregojë se nga reforma e filluar mund të kontribuojë dukshëm në fuqizimin e sundimit të ligjit, të dëshmojë partneritet e bashkëpunim ndërinstitucional në çështjet e rëndësishme për vendin, duke mos tentuar të arsyetojë mosveprimin me pavarësi të sistemit gjyqësor por të dëshmojë pavarësinë në ushtrimin e detyrave të përcaktuara me ligj”, shkroi Kurti.

Ai tha se ky projektligj “do të ngritë pashmangshëm llogaridhënien dhe transparencën në sistemin prokurorial” veti këto që se kanë munguar brenda sistemit të drejtësisë.

“Ky është vetëm fillimi i reformës”, shrkoi Kurti.

(Kosova Sot Online)