Tremujori i parë i vitit, rreth 62% më shumë gjoba në trafik se vitin e kaluar

  • E.K /
  • 16 April 2022 - 10:40
Tremujori i parë i vitit, rreth 62% më shumë gjoba në trafik se vitin e kaluar

Numri i gjobave të shqiptuara ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat e komunikacionit është rritur ndjeshëm. Këtë e thonë edhe statistikat e vet Policisë së Kosovës që thonë se kanë shqiptuar mbi 62 mijë gjoba më shumë për tre muajt e parë të këtij viti në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Nënkolonel Jeton Rexhepi, ka thënë për KosovaPress që këtë vit numri i gjobave është rritur me 62%.

“Duke marrë parasysh gjendjen e sigurisë në trafikun rrugor, policia e Kosovës që nga fillimi i vitit ka qenë aktive në prezencë policore dhe në zbatim të planeve operative të ndryshme të cilat kanë për qëllim apo kanë pasur për qëllim vetëdijesimin dhe sensibilizimin e pjesëmarrësve në trafikun rrugor. Për këtë arsye në qofte se i marrim këto aktivitete dhe shohim se sa ka punuar policia e Kosovës, i bie që Policia e Kosovës në këtë tre mujor ka shqyrtuar rreth 160 mijë gjoba për kundërvajtje në trafikun rrugor, ndërsa periudhën e njëjte në vitin e kaluar kanë qenë 98 mijë gjoba në trafik. Me përqindje rreth 62% më shumë gjoba sesa periudha e njëjtë të vitit kaluar”, theksoi Rexhepi.

Në Kosovë, aktualisht është duke u zhvilluar Java e Sigurisë Rrugore e cila përfundon nesër. Gjatë kësaj kohe, Policia e Kosovës, në të gjithë vendin, është duke zhvilluar aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim vetëdijesimin e njerëzve për sigurinë në trafik.

(Kosova Sot Online)