Gazetarja ukrainase në Prishtinë: Më bën përshtypje se si dhimbja e popullit tim ndihet te kosovarët

  • E.K /
  • 18 April 2022 - 12:39
Gazetarja ukrainase në Prishtinë: Më bën përshtypje se si dhimbja e popullit tim ndihet te kosovarët

Gazetarja e parë nga Ukraina, që është strehuar dje në Prishtinë, thotë se i bën përshtypje se si kosovarët ndjenjë dhimbjen për atë që po e përjetojnë ukrainasit.  

Nga zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, ka folur për përshtypjet e saj që mori nga Prishtina.

“Sapo zbrita nga avioni, ndjeva sinqeritetin dhe mikpritjen e njerëzve që më takuan”, thotë Makey.

“Më ka bërë shumë përshtypje se si dhimbja e vendit tim, ndihet në zemrën e popullit të Kosovës. Ajo godet deri në lot. Sepse e di sa e vështirë është të shërohet plagët e lënë nga një luftë e tmerrshme në vendin tënd”, ka thënë ajo.

Gazetarja ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për përkrahjen ndaj shtetit të saj.

Ajo ka folur për gjendjen e gazetarëve tani në Ukrainë, duke thënë se të gjithë janë kthyer në reporterë lufte. Ajo thotë se Rusia po vret gjithkënd, pa dallim as profesioni, as gjinie, as moshe.

Gazetarja tregon për kolegët e saj në qytetin e bllokuar të Mariupolit, për të cilët thotë se s’ka dëgjuar për një kohë të gjatë. 

(Kosova Sot Online)