“Tenderomani”, PDK-ja akuzon Liburn Aliun dhe Hysen Durmishin se keqpërdorën 9 milionë euro

  • E.K /
  • 18 April 2022 - 14:58
“Tenderomani”, PDK-ja akuzon Liburn Aliun dhe Hysen Durmishin se keqpërdorën 9 milionë euro

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës për nënshkrimin e 42 kontratave njëburimore, vlera e të cilave arrin mbi nëntë milionë euro.

Duke thënë se nënshkrimi i kontratave të tilla nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, Tahiri në një konferencë për media, të hënën, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të nis hetimet për këto kontrata.

“Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga z.Aliu dhe z.Durmishi kanë nënshkruar 42 kontrata njëburimore, vlera e të cilave arrin mbi 9 milionë euro. Nënshkrimi i këtij numri të kontratave njëburimore, pa konkurrencë, në mënyrë të negociuar, nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Ky është një rast për Prokurorinë e Kosovës sepse shpenzohen rreth 9 milionë euro, apo 10 për qind e buxhetit të kësaj ministrie të shkojnë në punë të paparashikueshme, është e patolerueshme dhe kërkojmë nga Prokuroria që të hetojë mbi këto kontrata”, ka thënë ai.

Në konferencë, e pranishme ishte edhe deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, sipas të cilës këto shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik janë argumentuar.

Ajo ka thënë se shumica e këtyre kontratave janë nënshkruar nga zëvendësministri Hysen Durmishi, derisa legjislacioni në fuqi nuk e parasheh këtë.

“Në kontratat e nënshkruara brenda kësaj periudhe njëveçare, Ministria e Infrastrukurës ka eliminuar konkurrencën e lirë dhe ka diskriminuar operatorët ekonomik. Shkelje tjetër ligjore në këto kontrata edhe e mos planifikimit i aktiviteteve të prokurimit, siç përcaktohet në nenit 8 të ligjit. Sepse, gjatë periudhës 22.03.2021 – 07.04.2022 procedura e negociuar pa publikim të kontratës është përdorur 42 herë, nënkupton që menaxhimi dhe planifikimi vjetor rreth procedurave të prokurimit ka qenë thjesht një dështim, ku shumica e këtyre kontratave janë punë shtesë apo 10 % të kontratave bazë. Vlera e kontratave gjatë përdorimit të kësaj procedure në periudhën një vjeçare arrin vleren rreth 9 milion euro”, ka thënë deputetja Hoxha.

Anëtari i Kryesisë, Bernard Nikaj, e quajti këtë “super-aferë” të Qeverisë Kurti. Sipas tij, pushtetarët kanë ndarë nën tavolinë, rreth nëntë milionë euro nga taksat e qytetarëve.

“E gjithë kjo ndërmarrësi korruptive, e bën shumë të qartë se nuk kemi të bëjmë me procese prokurimi. Kemi të bëjmë me fenomenin e pastër të tenderomanisë. Dhe për më keq, tenderomanisë pa procese e procedura tenderësh të hapur. Shkeljet e evidentuara dhe abuzimi me paranë publike në këtë rast, përbëjnë vepër të pastër penale, dhe mbi këtë bazë, ne do të përgatisim kallzim penal për secilin akter të përfshirë”, theksoi Nikaj.

(Kosova Sot Online)