Ky është njeriu që qëndron prapa fjalimeve të fuqishme të Zelenskyt

  • A.P /
  • 18 April 2022 - 17:42
Ky është njeriu që qëndron prapa fjalimeve të fuqishme të Zelenskyt

Fjalimet e presidentit Volodymyr Zelensky kanë forcuar mbështetjen ndërkombëtare për vendin e tij dhe kanë ngritur moralin në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus.

Ai iu drejtua parlamenteve të huaja në mbarë botën, por edhe ukrainasve, duke u filmuar në rrugë.

E përbashkëta e të gjitha fjalimeve të tij, është se pas tyre qëndron i njëjti autor – Dmytro Litvin, një ish-gazetar dhe analist politik 38-vjeçar, shkruan “The Guardian”.

“Presidenti e di gjithmonë se çfarë dëshiron të thotë dhe si dëshiron ta thotë. Emocionet janë gjëja më e rëndësishme në fjalime. Dhe sigurisht, presidenti është autori i emocioneve dhe logjikës së fjalëve”, tha Litvin, i cili është pjesë e ekipit të presidentit.

Ai ka jetuar dhe punuar me kolegët e tij që në ditët e para të pushtimit, sipas “The Guardian”.

Serhiy Leshchenko, një ish-gazetar që u bë këshilltar i luftës i Zelensky, e përshkroi Litvinin si një asistent letrar dhe artistik.

“Ai mbledh çdo ditë idetë e presidentit. Punon si mbledhës i mendjes apo i shqisave”, e ka përshkruar Leshchenko 38-vjeçarin.

Litvin ka qenë në qendër të politikës ukrainase për disa kohë. Ai ishte një analist politik i “Shërbëtorit të Popullit”, partisë politike të Zelenskyt dhe një kundërshtar i Petro Poroshenkos. Sipas sondazheve, 95 për qind e ukrainasve besojnë se vendi i tyre mund të zmbrapsë pushtimin rus, pavarësisht inferioritetit të Kievit për sa u përket tankeve, ushtarëve dhe aviacionit.

Orisia Lucevich, menaxhere e forumit ukrainas, tha se karriera e mëparshme e Zelenskyt si aktor dhe komedian ishte çelësi i suksesit të tij. Shikuesit janë mësuar ta shikojnë në role të ndryshme në televizion dhe për këtë arsye kanë mundur ta pranojnë atë si “komandantin e përgjithshëm me bluzë”.

Lucevich tha se Zelensky dhe bashkautorët kanë krijuar një ndjenjë të “misionit historik” që lidh luftën aktuale të Ukrainës me betejat e mëparshme kundër Moskës.

Zelensky është i qetë para kamerës ose kur iu drejtohet qytetarëve nga bunkeri i tij. Kur u zgjodh në vitin 2019 president, ai kishte pak ide konkrete politike. Ai u përpoq të dallohej nga paraardhësit e tij duke dhënë konferenca të gjata për shtyp.

Këto ditë, ndërveprimet e tij janë më të shpejta. Lucevich pretendon se fjalimet e tij të përditshme “jehojnë mirë”. Ihor Todorov, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Uzhhorod në Ukrainën perëndimore, vlerësoi gjithashtu punën e presidentit ukrainas.

“Zelensky reagoi mirë ndaj situatës. Shumë njerëz që nuk votuan dy vjet më parë e pranojnë atë”, tha Todorov. 

(Kosova Sot Online)