Petkoviq: “Nëse duam paqe dhe stabilitet, duhet të formohet Asociacioni i Komunave Serbe”

  • E.K /
  • 19 April 2022 - 11:24
Petkoviq: “Nëse duam paqe dhe stabilitet, duhet të formohet Asociacioni i Komunave Serbe”

Marrëveshja e Brukselit është një gurthemel historik për mbrojtjen e interesave kombëtare serbe në Kosovë, tha drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq dhe theksoi se Beogradi nuk do të heqë dorë nga insistimi për jetësimin e kësaj pike të dokumentit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke shtuar se zbatimi i marrëveshjes është kusht për normalizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Petkoviq kujtoi se kanë kaluar 3287 ditë, apo 9 vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe se Prishtina ende refuzon ta zbatojë atë dhe themelon Asociacionit, e që sipas tij është “zemra e dialogut” dhe për shkak të së cilës pikë Beogradi edhe ka hyrë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me shqiptarët.

“Në këtë moment të vështirë, kur Evropa dhe e gjithë bota po përballen me krizën ukrainase, tregohet se sa e rëndësishme është formimi sa më i shpejtë i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili siguron të drejta kolektive për popullin serb në Kosovë. Nëse duam paqe dhe stabilitet, duhet të kemi Asociacionin”, ka thënë Petkoviq për Tanjug në përvjetorin nëntë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit.

Ai ka theksuar se nëntë vite më parë,” falë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është arritur një marrëveshje e cila tregon gatishmërinë e Beogradit për të ndërtuar marrëdhënie më të mira me shqiptarët dhe se pala serbe ka arritur të luftojë për interesat e serbëve në Kosovë”.

“Para nënshkrimit të marrëveshjes, Vuçiq ishte i ekspozuar ndaj presioneve të tmerrshme, por ai shikonte në drejtim të paqes dhe stabilitetit dhe si të mbrohej populli serb në Kosovë. Nuk ka asnjë pikë në marrëveshje që parasheh që Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së dhe presidenti Vuçiq ka arritur të sigurohet që 97 për qind e policëve në radhët e policisë së Kosovës në veri të jënë serbë”, tha Petkoviq.

Sipas tij, fakti që Prishtina edhe pas nëntë vitesh refuzon themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, “tregon se nuk dëshiron t’i ofrojë të drejta kolektive popullit serb në Kosovë dhe se si duket dikujt po i shkon për shtati destabilizimi i situatës në terren”.

“Fakti që Kurti thotë hapur çdo ditë se kjo marrëveshje nuk do të zbatohet kurrë, tregon se ne kemi arritur t’i ofrojmë popullit serb një marrëveshje për mbrojtjen e interesave kombëtare serbe. Kurti kur kritikon diçka do të thotë se është mirë për popullin serb”, ka thënë Petkoviq.
Ai shtoi se që nga ardhja e Kurtit në pushtet, “në Kosovë kanë ndodhur 167 incidente kundër popullatës serbe”, gjë që, siç thotë ai, “tregon se formimi i Asociacionit është shumë i nevojshëm si kornizë në të cilën të drejtat e popullit serb në Kosovë do të mbrohen”.

(Kosova Sot Online)