Refuzimi i shumicës për të hetuar subvencionimin e energjisë, AAK merr këtë vendim

  • E.K /
  • 19 April 2022 - 14:32
Refuzimi i shumicës për të hetuar subvencionimin e energjisë, AAK merr këtë vendim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e  Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se kanë marrë vendim që AAK-ja të mos marrë pjesë në asnjë votim për t’ia bërë kuorumin pozitës në Kuvendin e Kosovës.

Kjo pasi sipas Haradinajt, pozita sot nuk votoi pro formimit të Komisionit Hetimor për krizën në energji.

“Sot ndodhi ajo që nuk do të duhej që të ndodhte. Pra Qeveria e pengoi Kuvendin që të formojë themelimin e një Komisioni Hetimor lidhur me subvencionimin e energjisë. Aleanca nuk do të marrë pjesë në asnjë votim për t’i bërë kuorumin shumicës deri në themelimin e këtij Komisioni që u refuzu sot”, tha ai.

Më tutje, Haradinaj i shprehu edhe disa siç tha ai shqetësime lidhur me Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

“AAK-ja në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për disa situata të rrezikshme të krijuara nga Qeveria E Kosovës me kryeministrin Kurti. Së pari, jemi të shqetësuar për vonesën e hartimit të strategjisë kombëtare të sigurisë”, deklaroi ai.

Haradinaj përmendi edhe projektin e gazsjellësit Shkup-Prishtinë, që sipas tij po mbahet i bllokuar nga Qeveria e Kosovës.

“Jemi po ashtu të shqetësuar që Qeveria po vazhdon që ta mbajë të bllokuar gazsjellësin Shkup-Prishtinë, një projekt amerikan, kur e gjithë bota ka filluar që të kalojë nga gazi rus në atë të lëngshëm amerikan. Ne jemi të shqetësuar për atë se kryeministrin po e bllokon jo vetëm një gazsjellës por një projekt amerikan dhe me këtë vendim të tij po i rrezikon marrëdhëniet me partnerët strategjik të Kosovës”, tha Haradinaj.

E mosimplementimi i këtij projekti, sipas Haradinajt i rrezikon Kosovës marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtar.

“Nuk e di a po e din kryeministri se me këto vendime ai po e rrezikon sigurinë e vendit. Refuzimi i një projekti strategjik amerikan e bjen më afër Rusinë e Serbinë, prandaj edhe kërkesa  për  rikthimin urgjent të gazsjellësit është i një rëndësie jetike për Kosovën, prandaj nuk është thjesht punë gazi e do gypave”, ka thënë Haradinaj.

Ai përmendi edhe vonesat për miratimin e Ligjit për Pagat në Sektorin publik.

“Jemi të shqetësuar për vonesën e miratimit të Ligjit për Pagat me koeficiente të caktuar sipas rritjeve të çmimeve. Të gjitha pagat dhe pensionet duhet të rriten 30%, ndërsa paga minimale duhet të jetë 370 euro neto”, ka deklaruar ai. 

(Kosova Sot Online)