VV s’e përkrahu Komisionin hetimor për rrymën me arsyetimin se ka luftë në Ukrainë, Demhasaj tallet me Kusarin

  • E.K /
  • 19 April 2022 - 14:58
VV s’e përkrahu Komisionin hetimor për rrymën me arsyetimin se ka luftë në Ukrainë, Demhasaj tallet me Kusarin

Drejtori ekzekutiv i Organizatës Çohu, Arton Demhasaj, ka reaguar pas deklaratës së Shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusarit-Lilës, e cila tha se opozita po kërkon Komision Hetimor në kohën kur po zhvillohet lufta Rusi-Ukrainë.

Demhasaj është tallur me këtë deklaratë të Kusari-Lilës, duke thënë se qe sa kohë pala ukrainase dhe ajo ruse po negociojnë për ta ndalur luftën e s’po munden, “ e ne vetëm e ndalim krijimin e komisionin hetimor për rrymën edhe po e ndalim luftën”.

“Qe sa kohe po negociojnë pala ukrainase dhe ruse për me ndal luftën ne Ukraine e s’po munden, e ne vetëm e ndalim krijimin e komisionin hetimor për rrymën edhe po e ndalim luftën….kjo si duket qenka lidhja gjeopolitike dhe gjeostrategjike e komisionit hetimor për rrymën me luftën ne Ukrainë… teze e mire studimi për teoricienët e shkencave politike!”, ka shkruar Demhasaj.

Ndryshe, vetëm 33 deputetë kanë votuar pro mocionit për futjen në rend të ditës të formimit të Komisionit Hetimor parlamentar të propozuar nga PDK-ja për energjinë.

Nga 108 deputetë të pranishëm, 72 vota janë nevojitur që mocioni të kalojë.

“33 deputetë kanë votuar pro, prandaj ky mocion mbetet në seancën e ardhshme”, tha Konjufca.

Partitë opozitare kanë vendosur ta lëshojnë sallën e Kuvendit pasi nuk u votua mocioni.

PDK-ja ka propozuar formimin e Komisionit Hetimor për energjinë, i cili ka marrë përkrahjen edhe të LDK-së dhe AAK-së.

(Kosova Sot Online)