Nagavci pajtohet me nxënësit që “s’po iu shkohet në shkollë” për shkak të cilësisë së dobët

  • E.K /
  • 19 April 2022 - 15:27
Nagavci pajtohet me nxënësit që “s’po iu shkohet në shkollë” për shkak të cilësisë së dobët

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se pajtohet me ankesën e nxënësve për cilësinë e arsimit në shkolla, derisa tha se i gëzohet aktivizmit të tyre, të cilët sot mbajtën një protestë në Prishtinë ku shpalosen kërkesat e tyre për përmirësim të gjendjes së arsimit.

“Ndajmë shqetësimin plotësisht legjitim të shprehur nga nxënësit për gjendjen në sistemin e arsimit! Prandaj, angazhimi ditor në Ministrinë tonë ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim. MASHTI veçse ka dëshmuar, me një numër të madh takimesh e marrëveshjesh bashkëpunimi të nënshkruara, që është i hapur për bashkëbisedim e bashkëpunim me të gjitha palët me interes për ndërmarrjen e hapave konkret për ndryshimin e gjendjes në arsim”, ka shkruar Nagavci.

Ajo thotë se për një vit sa qeverisje ka punuar në përmirësimin e infrastrukturën ligjore, kushteve në shkolla dhe procesit mësimor.

Për këtë ajo ka ndarë vendimet e saj dhe “punët konkrete” që ka bërë Ministria që ajo udhëheq:

• Rritja e buxhetit për arsim për 12%, për vitin 2022;

• Ndarja e 3,500.000€ për institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional për përmirësimin e praktikës profesionale dhe sigurimin aksidental të nxënësve gjatë punës praktike;

• Themelimi i pesë Qendra të Karrierës; tre të tjera janë në proces;

• Hartimi i PSAK 2022-2026 si dokument orientues për zhvillimin e arsimit në proces të finalizimit (që përfshin investime domethënëse në infrastrukturë, digjitalizim dhe në cilësinë e arsimit);

• Ndryshimi i formulës së financimit për arsimin parauniversitar duke mundësuar ri-organizimin e rrjetit të shkollave, duke ofruar kushte më cilësore për punë;

• Planifikimi që secila klasë në Kosovë të ketë së paku një kompjuter dhe projektor, brenda pesë vitesh;

• Mbështetja e më shumë se 3,000 mësimdhënësve në zhvillim profesional;

• Rishikimi i sistemit të vlerësimit të performancës, trajnimit dhe licencimit të mësimdhënësve, si dhe i organizimit të brendshëm të shkollës, me qëllim të sigurimit të mësimit cilësor në shkolla;

• Bashkëpunimi me të gjitha palët për shtimin e sigurisë në shkolla dhe krijimin e mjedist miqësor për të gjithë fëmijët;

• Ofrimi i mbështetjes për organizatat e shoqërisë civile që punojnë me fëmijë me talente të veçanta, me fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe me qendrat mësimore për fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian;

• Vërja në fokus ndaj rritjes së besueshmërisë së testeve kombëtare, në mënyrë që të shtohet përgjegjësia dhe llogaridhënia në shkolla;

• Ndarja e mbi 3000 bursa për të rejat e  të rinjtë tanë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit;

• Nëshkrimi i marrëveshjeve me BE dhe anëtarësimi në HORIZON;

• Nënshkruami i programit ,,Fulbright” me Ambasadën Amerikane për hulumtime akademike;

• Ndarja e 30 mijë euro për projekte shkencore;

• 100 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta;

• 500 bursa për nxënës nga grupet e margjinalizuara;

• Funksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Shkencës;

• Rifunksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Në fund, Nagavci u zotua se rezultatet në arsim duhet dhe do të përmirësohen.

“Si ministre e pranoj seriozisht çdo shqetësim të nxënësve për cilësinë në arsim, për vendimet e tanishme të MASHTI-t, por edhe për simptomat që përjetojmë tani e që kanë burim një kohë e situatë tjetër. Të ardhmen e sigurojmë me angazhim të përbashkët, me dije dhe arsim”.

(Kosova Sot Online)