Dikush po mendon t’ia marrë rolin e ndërmjetësit Miroslav Lajçak

  • E.K /
  • 20 April 2022 - 12:48
Dikush po mendon t’ia marrë rolin e ndërmjetësit Miroslav Lajçak

Presidenti slloven Borut Pahor, të cilit i skadon mandati i dytë këtë vit, raportohet se është i interesuar për pozitën e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sipas mediumit slloven “Delo”.

I pyetur nga gazeta kryesore sllovene nëse ishte e vërtetë se Pahor ishte i interesuar për pozicionin aktual të politikanit sllovak Miroslav Lajçak, zyra e Pahor tha në një deklaratë se ai “nuk po mendonte” për këtë çështje për momentin.

Më tej thuhet se pas skadimit të mandatit aktual në fund të këtij viti, Pahor synon të shfrytëzojë privilegjet nga ligji për ish-presidentët, të cilat i lejojnë të shfrytëzojë përfitimet për një vit.

Në fund të vitit, mandati i dytë presidencial i Pahor përfundon, pas së cilës ai nuk mund të kandidojë më për postin.

“Çështja se çfarë do të bëjë presidenti Pahor më vonë nuk po trajtohet tani, sepse do të ketë kohë të mjaftueshme për të më vonë dhe ai tani është plotësisht i përkushtuar në detyrat e tij, të cilat do t’i kryejë deri më 22 dhjetor të këtij viti”, u tha në deklaratë.

Drejtor i Institutit Ndërkombëtar Ifimes për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit në Lubjanë, Zijad Bećirović, komentoi për “Delo” rolin e Sllovenisë dhe Pahorit në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se Sllovenia ka humbur besueshmërinë e saj në këtë rajon për shkak të “non-papers”.

“Sllovenia ka humbur tashmë çdo rëndësi politike në Ballkanin Perëndimor. Një vit më parë u zbuluan ‘non-papers’, të cilat u zbuluan nga Presidenti Pahor në bisedimet jozyrtare me anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës. Ky ishte fillimi i fundit të çdo roli më me ndikim të Sllovenisë në këtë rajon”, tha ai.

(Kosova Sot Online)