Përfitojnë me mashtrim nga politika, formojnë parti të reja dhe tallen me qytetarin

Përfitojnë me mashtrim nga politika, formojnë parti të reja dhe tallen me qytetarin
Përfitojnë me mashtrim nga politika, formojnë parti të reja dhe tallen me qytetarin

Faik Krasniqi

  • 20 April 2022 - 07:32

Shkruan: ANALISTI - Faik Krasniqi

As shtetet që kanë qindra miliona banorë nuk kanë parti sa kemi ne në Kosovë. Kjo është tallje dhe fyerje për qytetarët e Kosovës. Këtu shihet sa e kanë degraduar politikën partitë aktuale. Partitë aktuale duhet të jenë korrekt me qytetarin dhe të mbajnë fjalën për premtimet e dhëna, dhe jo me premtime dhe gënjeshtra të vijnë në pushtet. Pastaj në pushtet t'i harrojnë shumicën e premtimeve të dhëna, por të merren me improvizime sië kanë bërë deri më tash.

-Shpresa është vrarë shumë kohë më parë, dhe po vritet çdo ditë me politikanët e papërgjegjshëm. Politikan të mirë nuk ka. Atë ditë që bëhesh politikan nuk mund të jesh më i mirë. Kur politikani ulet në kolltukun e nxehtë, harron çdo gjë çfarë ka thënë. Aty fillon të zhvishet nga çdo lloj ndjenje që ka njeriu. Humb çdo ndjenjë. Shndërrohet në tjetër njëri. Së pari fillon të gënjej, pastaj vazhdon me mashtrime dhe vjedhje. Nuk ka më turp. Ai dhe turpi bëhen një. Prandaj s'duhet pasur respekt për politikanin, deri në atë moment që nuk është me politikan.

Ky shtet ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë parajsë e dilingjive, servilëve, rrencave, mashtruesve, profiterëve dhe të atyre që njihen me rrënjë që nuk kanë bërë diçka për këtë vend, por jo edhe për njerëzit e ndershëm, punëtor, të dijshëm dhe që në kohë të vështira e kanë dëshmuar veten. Për këta të fundit nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë kurrë vend në këtë shtet. Kam dëgjuar njerëz që thonë se për asnjë çmim nuk do ta braktisnin vendlindjen. Edhe pse ky vend kurrë nuk u ka ofruar asgjë, ashtu siç nuk u ka ofruar shumicës asgjë, me përjashtim të njerëzve të politikës dhe atyre që u sillen rreth prapanicës. Për ata këtu gjithmonë do të jetë mirë.

Shumë prej tyre kanë thënë kështu, por sot jetojnë në shtetet e perëndimit. Por shumica në mundësinë e parë do të iknin, ashtu siç kanë ikur me mijëra në Kosovën e pasluftës. Më shumë kanë ikur prej përfundimit të luftës e deri më sot, se sa në kohën e okupimit serb. Këtë mendje e kanë prej përfundimit të luftës. Arsyet dihen pse. Liberalizimi na është premtuar për më shumë se një dekadë. Ajo nuk ndodhi kurrë. Kushedi kur ndodh. Sikur të kishim liberalizim të vizave, ndoshta sot shumica prej nesh do të ishim duke shkruar prej ndonjë shteti tjetër.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".