Dy shtyllat e Qeverisë që Abazoviq don ta krijojë

  • E.K /
  • 20 April 2022 - 13:26
Dy shtyllat e Qeverisë që Abazoviq don ta krijojë

Qeveria e tij do të mbështet në shtylla – sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, ka thënë sot i mandatuari për formimin e Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Lideri i Iniciativës Qytetare “URA” , i mandatuar për Kryeministër, ka shpalosur sot konceptin e Qeverisë së ardhshme malazeze, në një konferencë të thirrur për media.

Ai ka thënë se e ka informuar Kuvendin e Malit të Zi se është gati ta marrë udhëheqjen e Qeverisë.

Abazoviq është në pritje të seancës, ku deputetët pritet të votojnë për formimin e Qeverisë së re. Thotë se kjo mund të ndodhë edhe nesër, por më shumë gjasa ka që të ndodhë javën e ardhshme.

“Gjithçka është në dorën e deputetëve. Është në dorën e tyre të vendosin se kur do të mbahet seanca. Me aq sa jam informuar, mund të jetë nesër, por meqë është festë, më e mundshme është që të mbahet javënn e ardhshme”, ka thënë Abazoviq.

Siç raporton vijesti.me, Abazoviq ka përmendur disa prej fushave që ai i ka prioritare, sapo ta marrë drejtimin e Qeverisë.

“Harmonizimi i rregulloreve në fushën e drejtësisë me Evropën dhe opinioni i Komisionit të Venecias, reforma zgjedhore, rishikimi në fushën e arsimit dhe kulturës dhe rishqyrtimi i vendimeve të personelit. Rishqyrtimi i të gjitha marrëveshjeve të të gjitha qeverive të mëparshme. Reforma e mëtejshme e shërbimet e sigurisë”.

Mandatari për Kryeminsitër tha se për sa i përket prioriteteve politike – “E humbëm Qeverinë se nuk gjeti gjuhë të përbashkët me deputetët”.

Ai ka edhe disa gjëra të tjera të rëndësishme për t’i ndjekur si Kryeministër i Malit të Zi, e ato ka thënë se janë, “Vazhdimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dinamizimi i negociatave me BE-në, vazhdimi i reformave të nisura ekonomike, rregullimi i marrëdhënieve me komunitetet fetare. Vazhdimi i reformës së administratës publike, zhvillimi i balancuar rajonal”. 

(Kosova Sot Online)