Biden: Putin dhe Covid, fajtorët e rritjes së çmimeve

  • E.K /
  • 20 April 2022 - 15:00
Biden: Putin dhe Covid, fajtorët e rritjes së çmimeve

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka lënë fajin pandemisë dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, për rritjen e çmimeve.

Duke argumentuar këtë, Biden ndau edhe një histori të vështirësive në familjen e tij kur kishte rritje çmimesh.

“E di që familjet janë duke u përballur me çmimet e larta. U rrita në një familje ku kur u rritte çmimi i gazit, ne e ndienim. Le të jemi krejtësisht të qartë mbi atë pse po rriten çmimet aktualisht: COVID dhe Vladimir Putin”.

Biden ka shkruar se pushtimi i Putinit në Ukrainë ka rritur çmimet e gazit dhe çmimet e ushqimeve në të gjithë botën.

“Këtë e pamë në të dhënat më të fundit të inflacionit. Muajin e kaluar, rreth 70% e rritjes së inflacionit ishte pasojë e rritjes së çmimeve nga Putini për shkak të ndikimit në çmimet e gazit dhe të energjisë”.

Presidenti amerikan tha se për këtë po mundohet që të ulë çmimet dhe të adresojë këtë çështje të rritjes së çmimeve si shkak i Putinit.

“Kjo është arsyeja pse unë autorizova që të lëshohen një milion fuçi në ditë derisa ne punojmë me prodhuesit amerikanë të naftës për të rritur prodhimin – dhe e koordinova këtë vendim me partnerë dhe aleatë në mbarë botën”.

Përveç çmimeve të gazit, Biden tha se i ka bërë thirrje Kongresit që të marrë masa menjëherë për të ulur koston e faturave të shërbimeve komunale të familjeve, barnave me recetë në mënyrë që të ulet presioni nga inflacioni, duke thënë se kjo do të përbënte një diferencë të madhe për familjet.

(Kosova Sot Online)