Kandiq u refuzua nga shoqatat e të pagjetuve paradite, pritet nga Kurti pasdite

  • A.P /
  • 20 April 2022 - 18:54
Kandiq u refuzua nga shoqatat e të pagjetuve paradite, pritet nga Kurti pasdite

Aktivistja e të drejtave të njeriut dhe drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, sot është përballur me refuzimin e përfaqësuesve të shoqatave të të pagjeturve në Kosovë për ta dëgjuar, të cilët kanë lëshuar sallën ku po mbahej tryeza “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pagjetur?”.

Mirëpo, pas disa orësh, Kandiq është pritur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me të cilën ka diskutuar për çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

“Kryeministri Kurti ritheksoi qasjen me seriozitet të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për çështjen e personave të zhdukur me dhunë. Ai potencoi se për të si kryeministër dhe për Qeverinë e Kosovës është me shumë rëndësi që duke punuar me mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë, të bëhet më shumë për të mbyllur plagët e hapura”, thuhet në komunikatë,.

Po ashtu, sipas komunikatës, u bisedua edhe për 27 prillin, kur Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë.

“Ndërsa për tryezën e sotme të drejtuar nga kryetarja e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, u theksua se është organizuar pa koordinim paraprak me Zyren e Kryeministrit, Zyren e Presidentes dhe të Kryetarit të Kuvendit, gjë që ka pamundësuar praninë e tre udhëheqësve të këtyre institucioneve në tryezë. Kryeministri bëri të ditur se do të takojë përfaqësuesit e familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për të biseduar për çështjen e të zhdukurve, që është prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në fund. 

(Kosova Sot Online)