“Pahor synon pozitën e Lajçak” – Flet presidenca sllovene

  • E.K /
  • 21 April 2022 - 11:49
“Pahor synon pozitën e Lajçak” – Flet presidenca sllovene

Presidenca e Sllovenisë ka mohuar raportimet se presidenti aktual Borut Pahor po synon t’ia zë vendin emisarit europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Nga Lubjana thonë se ai hë për hë nuk ka ndonjë plan që të jetë në krye të procesit të vështirë të zgjidhjes së mosmarrëveshjes së dy fqinjëve ballkanikë, por dëshiron të shfrytëzojë privilegjet që ia ofron ligji slloven për ish-presidentët pasi atyre iu mbaron mandati.

Mediumi slloven “Delo” ka shkruar se Pahor, të cilit i skadon mandati i dytë këtë vit dhe që më s’mund të kandidojë për një mandat të tretë, është i interesuar për pozitën e Lajçakut. Në një përgjigje të Presidencës së Sllovenisë për  Express thonë se lajmi ëshë i rremë.

“Lajmi është i rremë. Pas përfundimit të mandatit të Presidentit Pahor  – në përputhje me ligjin  – ai synon të shfrytëzojë zyrën e ish-Presidentit. Për momentin ai nuk është duke bërë ndonjë plan për pas një viti, pasi gjithë kohën po ia kushton punës së tij si president i Republikës së Sllovenisë dhe planifikon të kryejë detyrën e tij si President deri në fund të mandatit më 22 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Edhe ashtu, analistët në Slloveni s’e kanë parë Pahorin si njeriun e duhur që të vihet në krye të dialogut Kosovë-Serbi, për shkak të ‘non-papers’ që u publikuan e që për burim patën Presidencën sllovene.

“Sllovenia ka humbur tashmë çdo rëndësi politike në Ballkanin Perëndimor. Një vit më parë u zbuluan ‘non-papers’, të cilat u zbuluan nga Presidenti Pahor në bisedimet jozyrtare me anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës. Ky ishte fillimi i fundit të çdo roli më me ndikim të Sllovenisë në këtë rajon”, kishte thënë për “Delo”, kishte thënë për “Delo” drejtori i Institutit Ndërkombëtar Ifimes për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit në Lubjanë, Zijad Bećirović.

Mandati i emisarit Lajçak si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor është i paraparë të përfundojë më 31 gusht 2022. Megjithatë, Këshilli i BE-së mund të vendosë që mandati i tij të ndërpritet më herët, bazuar në një vlerësim të Komitetit Politik dhe Sigurisë dhe një propozim nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, detyrë të cilën aktualisht e ushtron Josep Borrell.

Pas urgjencave në ruajtjen e sigurisë në Europë që krijoi agresioni rus në Ukrainë edhe Lajçak intensifikoi punën e tij drejt pajtimit të dy vendeve, paqja mes të cilëve në vazhdimësi është e rrezikuar. Ai dje ishte në një vizitë në Beograd për të folur për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë për të vënë përballë kryeministrin kosovar dhe presidentin serb dhe për t’i ngutur hapat drejt një marrëveshje, e cila aktualisht po kërkohet me më shumë ngulm.

(Kosova Sot Online)