Kritika Prokurorisë Speciale, Haxhiu: Do të bëjmë Taskë Forcë për korrupsionin e niveleve të larta

  • E.K /
  • 21 April 2022 - 12:49
Kritika Prokurorisë Speciale, Haxhiu: Do të bëjmë Taskë Forcë për korrupsionin e niveleve të larta

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, në një emision ka drejtuar kritika në adresë të Prokurorisë Speciale të Kosovës duke thënë se nuk e kanë luftuar krimin dhe korrupsionin në nivelet e larta.

Teksa ka folur për këtë çështje dhe për gjetjet e raportit të Departamentit të Shtetit, Haxhiu ka njoftuar se në bashkëpunim me ministrin Xhelal Sveçla, janë duke bërë përgatitjet për krijimin e një Taskë Force për luftimin e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.

Madje Haxhiu ka thënë se këtë nismë për krijimin e Taksë Forcës po e bën publike edhe pse për këtë s’e ka njoftuar paraprakisht ministrin Sveçla.

“Unë mendoj që lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është një proces kogja sfidues, sepse si Qeveri kemi vullnetin për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, në këtë drejtim jemi zero tolerant. Në anën tjetër përgjegjës kryesor janë institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, në këtë rast policia dhe prokuroria. Jemi në diskutime të vazhdueshme me ministrin e Punëve të Brendshme, se si ta krijojmë një trup si një formë Taskë Force që do të merret vetëm me rastet e korrupsionit të lartë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se duhet diskutohet se kush do të futet në kategorinë e rasteve të korrupsionit në nivelet e larta.

“Kur bëhet fjalë për vlera të larta të dyshimeve për keqpërdorime, unë besoj që duhet të jetë menjëherë nën autoritetin e Taskë Forcës që e adreson lëndën dhe e përcjell deri në fund, dhe jo që lënda nga Policia të shkojë në Prokurori Speciale pastaj të mos dihet për vite të tëra se ku ka mbetur ajo lëndë”, ka thënë Haxhiu në DPT te Fidani.

“Unë besoj që problemin më të madh Kosova e ka të mosndëshkueshmëria e nivelit të lartë”, ka shtuar tutje ministrja e Drejtësisë teksa ka kritikuar punën e Prokurorisë Speciale.

“Taskë Forca natyrisht që duhet të jetë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, se megjithatë mandatin pastaj për kallëzime penale, gjegjësisht për aktakuzë e ka Prokuroria Speciale, sepse Policia mund të bëjë kallëzim penal, por për aktakuzë..”, ka theksuar ministrja e Drejtësisë.

Ajo ka thënë se në kuadër të Taskë Forcës mund të ketë edhe Prokuror Special.

“Ne jemi duke e diskutu, edhe pse s’jam koordinuar me ministrin Svecla që po e bëj publik këtë. Megjithatë natyrisht kur ka përpjekje pozitive dhe qëllim mira, edhe mund të diskutohet ndonëse ende s’është finalizuar. Mirëpo unë mendoj që shumë shpejt do të ketë veprime konkrete në raport me këtë”, ka thënë Haxhiu në DPT.

Haxhiu ka thënë se Kosova ka pasur një Taskë Forcë, derisa ka kritikuar ish-kryeministrin Hoti se gjatë qeverisjes së tij e njëjta është mbyllur.

(Kosova Sot Online)