Ish-ministrja e jashtme, Meliza Haradinaj përgëzon Gërvallën për paraqitjen në OKB

  • E.K /
  • 21 April 2022 - 14:17
Ish-ministrja e jashtme, Meliza Haradinaj përgëzon Gërvallën për paraqitjen në OKB

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ka përgëzuar kryediplomaten Donika Gërvalla për paraqitjen e saj të djeshme në Këshillin e Sigurimit.

Haradinaj Stublla ka shkruar se përveçse Gërvalla është grua që vjen nga një familje emblematike ajo me mprehtësi i hodhi poshtë tentativat propaganduese të Serbisë.

“E përgëzoj Ministren Gërvalla për paraqitjen në Këshillin e Sigurimit. Përveç që është grua, dhe që vjen nga një familje emblematike për lirinë e Kosovës, ajo mbrëmë na bëri krenarë se me sa mprehtësi hodhi poshtë tentativat e stërvjetëruara propaganduese të Serbisë e Rusisë”, ka shkruar ajo.

Dje, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku po diskutohej për mandatin e UNMIK-ut, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i reagoi ashpër ministrit të jashtëm serb Nikolla Selakoviq i cili tha se kasapët e vërtetë të Ballkanit janë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

“Nuk dua të humbasë shumë kohë këtu. Të gjithë e dini se çfarë ka ndodhur ën vitet e 90-ta në Ballkan. Është vetëm një e vërtetë. Kasapi i Ballkanit është Millosheviq. Është turp që Serbia nuk e ka pranuar ende realitetin. Millosheviq nisi krimet e tij prej Sllovenisë në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e pastaj në Kosovë. NATO erdhi që të ndalojë atë. E kuptoj pse Rusia flet kundër neve. Ajo nuk është e kënaqur që Ksoova është shtet i suksesit. Të jem këtu e teksa dëgjoj prezantuesen e Rusisë duke sulmuar UCK—në, më kujton njerëzit heronj të Ukrainës që po mbrojnë vendin e tyre dhe propagandën që po bëni kundër tyre. Anëtarët e UÇK-së mbrojtën vendin e tyre dhe shtëpitë e tyre. Nuk do të isha krenare po të përfaqësoja ndonjërin prej shteteve tuaja”, tha ajo,

(Kosova Sot Online)