PDK dorëzon nesër kallëzim penal për anëtarët e Bordit të ZRRE-së

  • E.K /
  • 21 April 2022 - 14:43
PDK dorëzon nesër kallëzim penal për anëtarët e Bordit të ZRRE-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë sot se nesër do të bëjnë kallëzim penal për të gjithë anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Kjo pasi sipas tij, ZRRE nuk po e respekton vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për pezullimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Jemi në një krizë të madhe ekonomike, që po e degradon jashtëzakonisht shumë mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, e këtë krizë e bënë edhe me të rëndë fakti që një vendim i Gjykatës Themelore të Prishtinës për pezullimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike nuk po respektohet nga ZRRE. Sa i përket moszbatimit të vendimit të ZRRE-së të vendimit të Gjykatës në këtë rast për pezullimin e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike. Meqenëse ZRRE tashmë e ka deklaruar disa herë që nuk do ta respektojë një vendim të gjykatës për pezullimin e çmimit dhe tarifimi i energjisë elektrike ka vazhduar me tarifat e reja, ne qysh nesër do të procedojmë, në Prokurorinë Speciale kallëzim penal për secilin anëtarë veç e veç të ZRRE-së”, ka thënë Tahiri në një konferencë për media.

Ai ka thënë që ZRRE u ka vendosur harraq qytetarëve me vendimin për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.

“Ata në mënyrë të njëanshme, të jashtëligjshme dhe abuzive ka vendosur që të tarifojë qytetarët me çmim të shtrenjtimit të energjisë mbi 100% duke qenë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Ky është një haraq që vartësitë e Albin Kurtit kanë vendosur me ja u vënë qytetarëve dhe ne nuk do ta tolerojmë një gjë të tillë. Qysh nesër ekipet tona të juristëve e kanë bërë gati kallëzimin penal për secilin anëtarë veço e veç”, tha ai.

E si ndihmesë për të dalë nga kriza energjetike, Tahiri tha se do t’i shfrytëzojnë të gjitha procedurat parlamentare që në mbledhjen e radhës së Kryesisë së Kuvendit të vendoset për tërheqjen e një pjese të mjeteve të Trustit.

“Kjo e rëndon edhe më shumë jetën e qytetarëve të Kosovës, prandaj ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha procedurat tona parlamentar që në mbledhjen e radhës Kryesia ta vendosë në rend të ditës ligjin në fjalë. Pra Ligjin që u mundëson qytetarëve të Kosovës tërheqjen e kursimeve të tyre nga Trusti në një përqindje të caktuar”, tha ai.

(Kosova Sot Online)