Presidentja ja bënë bllok dosjes së KPK-së me kërkesën për dekretimin e Blerim Isufajt

Presidentja ja bënë bllok dosjes së KPK-së me kërkesën për dekretimin e Blerim Isufajt

Gani Qarri

  • 21 April 2022 - 07:29

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Pas reagimeve të ashpra të Organizatave jo-Qeveritare të cilat e përcjellin nga afër sistemin e drejtësisë dhe adresimi i kritikave të shumta për parregullsi të mëdha, veçanërisht në procesin i intervistimit dhe të poentimit të kandidatëve,duke e mbivlerësuar , në mënyrë të orkestruar artificiale kandidatin më të dobët, Blerim Isuafajn, gjë që nxiti edhe reagimin e shefit të zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, ambasadorit gjerman Jorn Rohde, atij anglez dhe ambasadorit amerikan Jeff Hoevenier, procesi i emërimit të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të ri të shtetit, përfundimisht duket se po shkon drejtë anulimit nga ana e Presidentes së shtetit, zonjës Dr. Vjosa Osmani!

-Megjithëse kanë kaluar mese dy javë që kur Këshilli i kapur Prokurorial i Kosovës, pasi ka eliminuar të gjithë kandidatët e tjerë, ka inskenuar edhe një votim unanim, për katapultimin pa asnjë votë kundër, të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të ri të Shtetit, duke mos hezituar që atë, t`ia rekomandojnë për dekretim edhe Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, pa shqyrtimin e hollësishëm të metodave dhe mënyrës së imponimit të tij, për këtë pozitë të lartë, shihet qartë se dekretimi, nga Presidentja, nuk do të ndodhë. E ballafaquar me reagime kaq të shumta dhe kundërshti aq të mëdha, të ardhura nga të gjitha anët, Presidentja e vendit, ka lënë të nënkuptohet se për shkak të numrit të madh të kundërshtimeve të brendshme, reagimit të fuqishëm të ambasadave të huaja në vend, si dhe akuzave të dëshmuara për parregullsi të mëdha, ajo për momentin nuk do ta bëjë fare dekretimin e personit në fjalë, nëse ky akt, nuk ndërlidhet me ndonjë obligim të patejkalueshëm ligjor.

Për aq më tepër, habit fakti se si paraprakisht, Komisioni famoz për Rishqyrtim i KPK-së, më 1 prill 2022, kinse kishte shqyrtuar kundërshtimet e katër kundër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi, mirëpo ato, që të gjitha ishin hedhur poshtë për arsyetime tani për tani, për ne, të panjohura. Prandaj reagimet e ashpra, të panjohura deri më tani, në formë dhe përmasa të tilla, kundër dekretimit të Blerim Isufajt, me të drejtë, kishin vërshuar në mënyrë masive, nga të gjitha anët. Kështu që me gjithë votimin e orkestruar të Blerim Isufajt nga ana e Këshillit të kapur Prokurorial të Kosovës dhe reagimet e forta të OJQ- ve, si dhe kundërshtimit të vendosur të ambasadave të huaja të cilat kanë edhe bashkëpunim me KPK-në dhe KGJK-në, pastaj reagimit kundërshtues të ardhur edhe nga vet zyra e BE-së në Prishtinë.

Dosja e kandidatit të katapultuar nga Këshilli i kapur Prokurorial Blerim Isufaj është duke bërë një pushim sqarues, shqyrtimi i të cilës duket se do të zgjasë jo pak, në zyrën e Presidentes Vjosa Osmani. Ajo përmes këshilltarit të saj, ka deklaruar se paraprakisht, i duhet të konsultohet me të gjitha palët e involvuara në këtë proces dhe vetëm pas kësaj, mund të vendos pro ose kundër dekretimit të Blerim Isufajt. Edhe Organizatat jo Qeveritare që e përcjellin dhe mbikëqyrin për së afërmi sistemin e drejtësisë, kanë adresuar kritika të ashpra kundër KPK-së, për parregullsi të mëdha, veçanërisht në procesin i intervistimit dhe të poentimit të kandidatëve, duke e mbivlerësuar, në mënyrë të orkestruar artificialisht kandidatin më të dobët, Blerim Isuafajn, prandaj kundër dekretimit të Blerim Isufajt kishin ardhur kritika edhe nga shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë Tomas Szunyog, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde dhe ambasadori amerikan Jeff Hoevenier.

Kështu që para gjendjes së krijuar me plotë paqartësi, në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike e Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, kanë rekomanduar që të anulohet tërësisht procesi aktual i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri, propozim të cilin pas gjithë këtyre kundërshtimeve publike, do duhej ta mbështeste Kryeministri Kurti, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, si dhe vetë Presidentja, Dr. Vjosa Osmani!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".