Martinit i vjen mbështetja nga Enver Dugolli

  • E.K /
  • 22 April 2022 - 10:25
Martinit i vjen mbështetja nga Enver Dugolli

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i ka dhënë mbështetje përmes një komenti Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, emrin e të cilit e përmendi dje mediumi slloven “Planet TV ”, si të përfshirë në një skandal të madh financiar që ka shpërthyer në Slloveni, tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme.

Për Dugollin, Berishaj është një shembull i një intelektuali dhe patrioti të mirëfilltë shqiptar.

Ai thotë se Berishajn po mundohen ta njollosin dhe se akuzat ndaj tij janë shpifje.

“Sikur të kishim sistem të duhur dhe efikas të drejtësisë, ma merr mendja që shpifjet dhe tentim njollosja e qëllimshme do reduktohej. Me këtë sistem (e kam fjalën për Kosovë, shpresoj që në Slloveni të jetë ndryshe), ku përveç tjerash duhet pritur me vite të tëra për një epilog, vështirë se ndalën këto shpifjet e qëllimshme. Profesor Berisha, ju jeni një shembull i një intelektuali dhe patrioti të mirëfilltë shqiptar dhe mbase ky fakt është motivi i vërtetë e gojkqinjëve që mundohen të ju njollosin. Kot e kanë. Floriri mbetet i njëjtë pavarësisht tentativave për ta baltosur”, ka qenë komenti i Dugollit në postimin e Berishajt.

Vetë Berishaj i ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Ai ka paralajmëruar padi ndaj portalit që ka publikuar skandalin.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, ka shkruar Berishaj.

Ndryshe, mediat sllovene e kanë zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar dje, tregonte se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj, shkruan Nacionale.com.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene.

(Kosova Sot Online)