Martin Berishaj ka biznes edhe në Kosovë, ja çka del kur kërkoni në ARBK për të (Dokument)

  • E.K /
  • 22 April 2022 - 14:07
Martin Berishaj ka biznes edhe në Kosovë, ja çka del kur kërkoni në ARBK për të (Dokument)

Ambasadori Martin Berishaj figuron udhëheqës i një biznesi në Prishtinë, në ortakëri me dy afaristë sllovenë. Njëri prej tyre është Janez Bukovnik, ish-drejtues i Lotarisë Sportive në Slloveni. Në mediat sllovene, Bukovnik është përfolur për pagesat astronomike që pranoi pas pensionimit.

Figura e Janez Bukovnik, një afaristi slloven, zuri ballinat e mediave sllovene për një pagë astronomike që përfitoi nga një kompani e lidhur me fondet shtetërore, rreth pesë vjet më parë.

Biznesmeni nga Lublana, kishte përfituar pagë në vlerë rreth 200 mijë euro pas pensionimit nga Lotaria Sportive në Slloveni, kompani të cilën ai e kishte drejtuar që nga themelimi, më 1995.

Bukovnik kishte ushtruar funksionin e Kryetarit të Bordit Drejtues të Lotarisë.

Lotaria Sportive në Slloveni, është e lidhur me fondet shtetërore. Ajo është një shoqëri aksionare në pronësi të Postës së Sllovenisë, Federatës së Skive, Komitetit Olimpik dhe Federatës së Futbollit të Sllovenisë.

Janez Bukovnik, ortaku biznesor i Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci

Në pensionimin e tij, ai përfitoi një pagesë astronomike. Siç kishte raportuar gazeta sllovene Siol.net, shuma prej 200 mijë eurove të cilën e kishte pranuar Bukovnik kalonte disa herë detyrimin ligjor të punëdhënësve ndaj punonjësve të pensionuar.

Sipas burimeve të Siol.net, ish-kryetari i Bordit të Lotarisë Sportive sllovene kishte marrë një pagesë në shumën e 12 pagave mesatare mujore pas pensionimit. Pagesa totale, e cila përfshinte disa shtesa, pritej të arrinte pak më pak se 200 mijë euro bruto, raportonte Siol.net.

Pagesën e pensionimit të Bukovnikut e kishte konsideruar “shumë të lartë” edhe ish-ministrja e Sportit të Sllovenisë, Maja Brençiç.

Derisa emri i tij përfolej për pagën astronomike në Slloveni, Bukovnik udhëhiqte – dhe vazhdon të udhëheq – një kompani këshilluese financiare në Kosovë së bashku me Martin Berishajn, Ambasadorin e Kosovës në Slloveni dhe ish-anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Janez Bukovnik dhe Martin Berishaj figurojnë bashkë-aksionar të kompanisë “Myloja L.L.C”, e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë në vitin 2008.

Kompania, e cila ushtron veprimtari në fushën e ndërmjetësimit monetar dhe lizingut financiar, është e vendosur në lagjen Hajvali të Prishtinës, raporton Paparaci, bazuar në të dhënat publike pranë ARBK-së.

Bashkë-aksionar në kompani figuron edhe Anton Çerne, një tjetër biznesmen slloven, ish-anëtar i Bordit të Lotarisë Sportive në Slloveni.

Në formularin e kompanisë, nuk është prezantuar asnjë numër kontaktues.

Të dhënat e kompanisë “Myloja” L.L.C

Martin Berishaj, i cili ushtron funksionin e Ambasadorit të Kosovës në Kroaci që nga dhjetori i vitit të kaluar, është i lidhur me Slloveninë. Atje, ai ka udhëhequr për disa vite rresht Shoqatën Kulturore Shqiptare “Migjeni”.

Të enjten, ambasadori Berishaj u përfshi në një skandal financiar të cilin e zbuloi Planet TV, një medium slloven.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Afera e dyshimtë për shpërlarje parash është zbuluar dhe transmetuar nga televizioni Planet TV të enjten. Hulumtimi bazohet në dokumente.

Ambasadori Berishaj dyshohet se ka shërbyer si ndërmjetës mes një kompanie serbe dhe politikanit slloven, Robert Golub. Në mes tyre, sipas hulumtimit të televizionit slloven, ndodhen 600 mijë euro të dyshimta.

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Të dhënat e kompanisë “MB Consulting”, në pronësi të Martin Berishajt

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene.

Në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe e-maili i njëjtë i Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.

Berishaj, ka mohuar përfshirjen e tij në skandalin financiar. Ai ka paralajmëruar padi ndaj televizionit slloven, Planet TV.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i doli në mbrojtje ambasadorit Berishaj. Mohoi ndërmarrjen e masave ndaj shefit të Misionit Diplomatik të Kosovës në Zagreb deri në një hetim final nga organet e drejtësisë. 

(Kosova Sot Online)