Kosova peng i marrëveshjes fatale të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, para 9 vitesh

Kosova peng i marrëveshjes fatale të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, para 9 vitesh

Gani Qarri

  • 22 April 2022 - 12:15

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Se ç`gabim të madh ka bërë Hashim Thaçi, me firmosjen e kësaj marrëveshje makaber me Ivica Daçiqin e Serbisë, si akti më i rëndë antishtetërorë që ai ka mundur t`ia bënte Kosovës, pas luftës, shihet më së miri sot, se në çfarë gjendje të pa rrugëdalje, ai e ka sjellë Kosovën edhe 23 vite pas çlirimit nga Serbia okupatore.

-Pikërisht më 19 Prill, janë mbushur plot nëntë vjet, qysh kur, po me këtë datë të vitit 2013, u nënshkrua për herë të parë, nga kuislingu Hashim Thaçi, marrëveshja e kundërligjshme për asociacionin një etnik serb në Bruksel me kryeministrin e atëhershëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

E duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka kjo marrëveshje për Serbinë, Ivica Daçiq e thotë me plot mburrje, se marrëveshja për asociacionin një etnik serb, ishte fitorja më e madhe e Serbisë, në vitet e pasluftës, sepse në rast se nuk do të arrihej një marrëveshje e tillë, atëherë “Kosova do të ishte një shtet i kompletuar, e i njohur ndërkombëtarisht dhe ndoshta, themi ne, se deri më tani,Republika e Kosovës do të ishte pranuar edhe në OKB! Por për fat të mirë, në dhjetor të vitit 2015, këtë marrëveshje të turpit mbi asociacionin një etnik serb, Gjykata Kushtetuese e gjeti në kundërshtim të plotë, me 23 nene të Kushtetutës dhe e hodhi poshtë, si të pa pranueshme. Madje Gjykata Kushtetuese e Kosovës, këtë akt të kundërligjshëm nuk e ka cilësuar as si marrëveshje të njëmendtë, por vetëm si një “dokument të ndërmjetëm”, që sot e atëherë nuk është ratifikuar kurrë nga parlamenti i Serbisë.

Kështu që Qeveria, Kuvendi i Kosovës, deputetët dhe të gjitha partitë politike shqiptare si shumicë absolute, e kanë për obligim moral, qytetar dhe kombëtar, që urgjentisht ta shfuqizojnë këtë marrëveshje të kundërligjshme e diletante, me votat e shumicës së deputetëve në Kuvend. Dhe pas shfuqizimit të saj, ti vendosin para drejtësisë Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën, në mënyrë që si autor të firmosjes së saj, ata sa më parë ta marrin dënimin meritor, për shkeljen e ligjit dhe të Kushtetutës së Kosovës. Përndryshe vendi ynë, jo vetëm që do ta ketë shumë të vështirë por ndoshta edhe të pamundur tu rezistojë presioneve të jashtme e të brendshme, për formimin e kësaj ngrehine të shpifur një etnike serbe, me të cilën praktikisht do të bosnjëzohej edhe Republika e Kosovës dhe merrte rrugën e pa-kthim, si hapi i parë, për ndarjen e veriut dhe shuarjen përfundimtare të shtetësisë së vendit tonë.

Pikërisht shkaku i po kësaj marrëveshje kundërligjore edhe procesi i dialogut, ka kohë që është futur tërësisht në rrugë të pa krye, dhe aktualisht jo vetëm se nuk shihet kund në horizont, por as që mund të flitet e paramendohet, arritja e një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, pas ndalimit të referendumit dhe moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, kanë filluar të ndodhin edhe incidente të shpeshta me armë, si dhe provokime të njëpasnjëshme në veri të Kosovës nga strukturat kriminale serbe, të telekomanduara drejtpërsëdrejti nga kryeqendra e Serbisë në Beograd dhe vet krimineli Aleksandër Vuçiqi. Kurse për interesin që kishte dhe ka Serbia për krijimin e asociacionit kundër kushtetues një etnik serb, ka folur edhe vet kreu i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, duke u shprehur se marrëveshja e vitit 2013, që mban firmën e tij dhe të Hashim Thaçit, është fitorja më e madhe e Serbisë, sepse në rast se, atëbotë, nuk do të arrihej një marrëveshje e tillë, “Kosova, sot do të ishte një shtet i kompletuar dhe i njohur ndërkombëtarisht, e ndoshta, themi pa fije ndrojtje, se deri më tani, mund të ishte pranuar si anëtare me të drejta të plota edhe në OKB.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".