Martin Berishaj “argat” i Janez Janshës për ta goditur Robert Golobin? Ky është versioni i “Reporter.si”

  • E.K /
  • 23 April 2022 - 17:48
Martin Berishaj “argat” i Janez Janshës për ta goditur Robert Golobin? Ky është versioni i “Reporter.si”

Emri i ambasadori të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është ndër më të përmendurit që nga mbrëmja e ditës së enjte, në prag të zgjedhjeve në Slloveni. Kjo pasi në një raportim të televizionit slloven Planet Tv, Berishaj është përmendur në kuadër të një skandali financiar, në të cilën Planet Tv thotë se është i përfshirë edhe politikani slloven, Robert Golob, i projektuar si kundërshtari kryesor i kryeministrit aktual të Sllovenisë, Janez Jansha. Siç ka raportuar Planet TV, ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, ka pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” një shumë prej 600 mijë eurosh nga dega në Beograd e kompanisë “GEN”, e të cilat pretendohet se Berishaj i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë Golobit.

Por çfarë raporton një media sllovene e afërt me opozitën “Reporter.si” e që kryeredaktori i saj, Sylvester Shurla, ka dalë edhe publikisht kundër Janshës në këto zgjedhje.

Siç shkruan “Reporter.si”, bazuar në informacionet e veta, themeluesi i kompanisë MB Consulting është Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, i cili ka raporte shumë të ngushta me partinë e Janez Janshës.

Mediumi tutje thotë se Berishaj e ka vizituar Janshën në zyrat e partisë disa herë, dhe se një gjë e tillë vërehet edhe në postimet në rrjete sociale. Gjithashtu theksojnë faktin se Berishaj në vitin 2018 ka qenë një prej 64 qytetarëve më të njohur në Lublanë që kishtë nënshkruar për të mbështetur kandidatin e partisë së Janshës, Anzhe Logarin, për kryetar të Lublanës.

Image

Martin Berishaj dhe Janez Jansha

 Derisa, thonë se po atë vit në prag të zgjedhjeve parlamentare, Berishaj e ka përkrahur Janez Janshën dhe partiën e tij publikisht.

“Shqiptarët në Slloveni me të drejtë vote, ditën e dielë, do ta japin votën e vet për Janez Jansha dhe partinë e tij SDS”, kishte shkruar Berishaj dhe kishte bashkëngjitur një fotografi teksa shtrëngonte duart me Janshën.

Image

Thirja e Martin Berishajt për ta përkrahur Janshën

“Reporter.si” thotë se Berishaj është një prej njerëzve kryesor të komunitetit shqiptar në Slloveni, që e mbështet Janshën.

Në fund të shkrimit, “Reporter.si”, shkruan se e gjithë kjo histori nënkupton që” SDS-ja përmes Planet Tv e ka trajtuar këtë hsitori në të cilën miku i mirë dhe mbështetësi politik i Janshës luan rolin kryesor”.

Teksa e përmendin televizionin Planet Tv, kujtojnë se është në pronësi të në pronësi të Jozsef Vida, një oligark hungarez nga rrethi i Viktor Orbanit. 

Derisa gazeta shtron edhe dy teza të tjera lidhur me aferën, nëse ka një ndërhyrje të shteteve të tjera në zgjedhjet në Slloveni dhe nëse Martin Berishaj ka marrë pjesë vetë aktivisht në përpjekjen që “Reporter.si” e quan “përpjekje për rrëzimin e Golobit”. Gazeta thotë se zhvillimi i ngjarjeve do t’i zbulojë këto dy çështje shumë shpejt.

“Shtrohet pyetja edhe nëse kjo është ndërhyrje e shteteve të huaja në zgjedhjet sllovene. Siç u përmend tashmë, Berishaj është ambasador i Kosovës në Kroaci, dhe gjithsesi, zhvillimi i ngjarjeve do të tregojë shpejt nëse ai vetë ka marrë pjesë aktive në përpjekjen për rrëzimin e Golobit”, thuhet në fund të shkrimit.

(Kosova Sot Online)