Lista Serbe dënon sulmin ndaj Policisë në veri

  • E.K /
  • 26 April 2022 - 11:16
Lista Serbe dënon sulmin ndaj Policisë në veri

Lista Serbe e ka dënuar sulmin e sotëm ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri të fundit.

Përmes një komunikate u ka bërë thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje.

“Ftojmë qytetarët të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon. Kush e ka bërë këtë nuk i mendon mirë popullit serb”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur të martën, 26 prill, se në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar me armë zjarri një njësi patrulluese kufitare e saj në Zupçe të Zubin Potokut.

Sipas saj, përveç dëmeve materiale në automjet, nuk ka raportime për zyrtarë policorë të lënduar.

Autoritetet në Kosovë, më 15 prill, kanë bërë të ditur për të parën herë se Policia e Kosovës ka qenë cak i disa sulmeve në veri të Kosovës.

Sulmi i parë sipas zyrtarëve të Kosovës, ka ndodhur më 13 prill, ndërsa për një javë janë regjistruar pesë sulme në total.

Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.

(Kosova Sot Online)