Lajçak: Ukraina mund të kapërcejë Ballkanin Perëndimor në integrimin europian

  • E.K /
  • 26 April 2022 - 15:07
Lajçak: Ukraina mund të kapërcejë Ballkanin Perëndimor në integrimin europian

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Ukraina mund të jetë më përpara se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kur vjen puna te integrimi në Bashkimin Europian.

Ai tha se në këtë kohë të vështirë Ballkani Perëndimor i duhet Unionit, por se duhet rritur përpjekjet për t’u përfshirë në proces edhe në zgjidhje të problemeve.

“Lufta në Ukrainë ka ndërruar mënyrën e BE-së se si e sheh zgjerimin, në aspektin pozitiv, sepse agresioni rus në Ukrainë e bëri sërish proces politik zgjerimin. Neve na duhet që Ballkani Perëndimor të jetë me ne në këtë kohë të vështirë…Ne gjithashtu presim nga partnerët në Ballkanin Perëndimor që të demonstrojnë se janë pjesë e zgjidhjeve dhe jo vetëm me deklarata ose t’iu bashkohen sanksioneve, por gjithashtu përmes mënyrës se si i adresojnë problemet e tyre ose të na ndihmojnë neve që t’i trajtojmë problemet e tyre. Isha një optimist i madh një muaj më herët, por tash guxoj të them se ne mund ta shohim Ukrainën të kapërcejë partnerët e Ballkanit Perëndimor kur vjen puna te procesi i integrimit. Fatkeqësisht nuk shoh shumë ndryshim kur vjen puna te retorika në mes partnerëve të rajonit, i thonë fjalët e duhura kur është fjala për Rusinë dhe Ukrainën, por kur sheh konfrontimet politike në Bosnjë e Hercegovinë apo mungesën e progresit në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kur e sheh procesin në rajon”.

Lajçak si problematike e ka parë edhe mungesën e besimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kthimin e tij nga ana e BE-së e pa si një ndër punët prioritare të saj.

Këto deklarata ai i bëri në Forumin BE-Ballkani, ku pjesëmarrëse ishte edhe kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla, e cila e bëri po të njëjtën ankesë se BE-ja nuk është serioze në raport me Ballkanin Perëndimor.

(Kosova Sot Online)