Përveç Osmanit e Kurtit, në ceremoninë e varrimit të Albright merr pjesë edhe një zyrtar i LDK’së

  • E.K /
  • 27 April 2022 - 09:32
Përveç Osmanit e Kurtit, në ceremoninë e varrimit të Albright merr pjesë edhe një zyrtar i LDK’së

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ka njoftuar se edhe ai do të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, të cilët kanë udhëtuar dje drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bislimi ka thënë se për të është nder që të jetë pjesë e kësaj ngjarje, ku do të jenë edhe Presidenti Joe Biden, ish-presidentët Bill Clinton dhe Barack Obama, me bashkëshortet e tyre, Sekretari i Shtetit Anthony Blinken dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice.

“Anipse tani nuk mbaj ndonjë pozitë shtetërore, por kam mbi dy dekada angazhim të sinqertë, punë me nderë, dhe përkushtim vetmohues me miqët tanë në Ëashington, DC përmes dhe falë Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane të udhëhequr nga Kongresisti Joe DioGuardi e znj. Shirley Cloyes DioGuardi (të cilëve kurrë s’mund t’iu dalim hakesh)!

Prandaj, të jem sot në këtë ngjarje ku eulogjinë kryesore do e mbajë Presidenti Biden, bashkë me ish-Presidentin Clinton e ish-Sekretaren e Shtetit Hilary Clinton, në praninë edhe të ish-Presidentit Obama, znj. Michelle Obama, Sekretarit të Shtetit Blinken, ish-Skretares së Shtetit Rice e shumë personaliteteve të tjera amerikane, për mua është më shumë se nder — është besatim për punë edhe më shumë për vendin tonë e kombin tone”, ka shkruar Bislimi./

Ndryshe, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka vdekur në moshën 84-vjeçare, më 23 mars.

Ajo vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social Twitter.

(Kosova Sot Online)