Tragjedia në Klinë: 23-vjeçari mbante emrin e babait që ia kishin vrarë në luftë

  • E.K /
  • 29 April 2022 - 13:27
Tragjedia në Klinë: 23-vjeçari mbante emrin e babait që ia kishin vrarë në luftë

Një 23-vjeçar u vra dje në Klinë, pranë një restoranti, ku, sipas mediave, kishte ngrënë iftar me familjen e tij. Fazli Hoxha, kishte lindur në vitin 1999, pak muaj pasi babai iu vra nga forcat serbe dhe u pagëzua me emrin e të atit. Ai dje nuk arriti t’i shpëtojë plagëve dhe sapo u dërgua në spital, mjeku njoftoi se kishte vdekur.

Fazli Hoxha, 23 vjecar, absolvent në Fakultetin Juridik në Prishtinë, mbeti i vrarë dje në Klinë, ndërsa dy vëllezërit e tij të plagosur.

Ai vdiq nga plagët e marra, ndërsa, siç thanë nga spitali i Pejës, vëllëzërit e tij të plagosur refuzuan të qëndronin aty për mjekim. U larguan pas pak orësh.

Në një postim të tij një vit më parë, Fazliu e kishte shkruar se është “një hap larg titullit ‘jurist i diplomuar'”.

Image

Fotografi e F. Hoxhës si absolvent, e publikuar një vit më parë nga ai në Facebook

Njëzetetre vjeçari ishte djali më i vogël i familjes, ndërsa babai i tij ra dëshmor në luftën e vitit 1999, pak muaj para se të lindte djali që u vra mbrëmë në Klinë. Sipas të afërmve, Fazli Hoxha, babai, ishte vrarë në masakrën e Gullbocit, prej nga ishte kjo familje.

Pesë persona janë ndaluar për 48 orë për vrasjen e Fazli Hoxhës dhe plagosjen e dy vëllëzërve të tij i kanë thënë  Express në Prokurorinë Themelore të Pejës.

“Pesë persona janë ndaluar për rastin e mbrëmshëm, për 48 orë. Gjatë ditës së sotme do të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Në Polici kanë thënë se janë njoftuar për të shtëna në Klinë rreth një cerek para orës 9 të mbrëmjes. Atje janë gjetur dy persona të lënduar, të cilët njëherë janë dërguar në qendër të mjekësisë familjare në Klinë, e më pas në emergjencës e Pejës. Pas pak, sipas Policisë, mjeku ka konfirmuar se 23-vjecari ka vdekur.

Sot, Policia ka dalë me një komunikatë, ku tregonte se rasti kishte ndodhur në parkingun e një restauranti në fshatin Volljakë, komuna e Klinës.

Sipas Policisë, tre persona kishin pësuar lëndime trupore nga arma e zjarrit dhe mjete të forta.

Sipas raportimeve të mediave, viktimat kishin dalë për iftar me familje në një restorant, në parkingun e të cilit policia konfirmoi se ndodhi rasti.

Mediat kanë raportuar edhe se rasti kishte kontekst një konflikt të mëhershëm dhe motivet e vrasjes mund të ishin për hakmarrje. Këto detaje s’janë konfirmuar nga autoritetet.

(Kosova Sot Online)