Kurti pritet në DASH, Chollet: Përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës

  • E.K /
  • 30 April 2022 - 09:55
Kurti pritet në DASH, Chollet: Përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti është takuar me Këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Për këtë takim ka njoftuar Chollet, përmes një postimi në Tëitter. Chollet ka thënë se çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës është përparimi në dialogun Kosovë-Serbi.

Tutje, ka thënë se e ka falënderuar Kurtin për pritjen e shtetasve afganë dhe se ka ritheksuar përkushtimin e vendosur të ShBA’së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Më vjen mirë qe e takova dje kryeministrin e Kosovës Kurti për të diskutuar prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë përparimin në Dialogun Kosovë-Serbi, çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës. E falënderova atë për pritjen e afganëve dhe ritheksova përkushtimin e vendosur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës” ka shkruar Chollet.

Për takimin ka njoftuar edhe Kurti. Ai ka shpërndarë postimin e Chollet, duke thënë se presin vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh me SHBA-të për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta

“I nderuar nga ftesa e Derek Chollet në Departamentin e Shtetit për takimin tonë të parë personal. Presim vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh me SHBA-të për vlerat dhe prioritetet e përbashkëta”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, Chollet e kishte telefonuar kryeministrin Albin Kurti, dy herë brenda një muaji, lidhur me zgjedhjet e Serbisë.

Chollet kishte thënë se pati “bisedë të mirë” me Kurtin, ndërsa përmendi rëndësinë që votuesit në Kosovë me të drejtë vote “të mund të marrin pjesë në zgjedhje”

“Pata një bisedë të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti sot. E falënderova atë për mbështetjen e tij të fortë në çështjen e Ukrainës dhe theksova rëndësinë e sigurimit të votuesve me të drejtë vote në Kosovë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare serbe të 3 prillit”, kishte shkruar zyrtari amerikan në Twitter.

(Kosova Sot Online)