Putini s’e dëgjon Papën, s’lejon korridore humanitare

  • E.K /
  • 30 April 2022 - 12:53
Putini s’e dëgjon Papën, s’lejon korridore humanitare

Presidenti rus, Vladimir Putin,  tri herë i ka hedhur poshtë thirrjet e Papa Françeskut për korridoret humanitare të Mariupolit. Papa Françesku është përpjekur të bindë Putinin që të lejojë një korridor humanitar nga Mariupol, por Kremlini pretendoi se “ai nuk mund të garantojë sigurinë”, shkruan gazeta italiane Il Messaggero.

Në këto gjashtëdhjetë ditë konflikti, Papa Françesku është përpjekur tre herë të ushtrojë peshën e tij të autoritetit moral mbi Kremlinin, duke i dërguar mesazhe të drejtpërdrejta Moskës përmes kanaleve diplomatike dhe gjithashtu duke shfrytëzuar Patriarkanën, në përpjekje për të ndihmuar në krijimin e një korridori humanitar në Mariupol. Por, Rusia i bëri të ditur Vatikanit tri herë se nuk do të garantonte asnjë siguri.

Kjo për Vatikanin ka qenë zhgënjyese meqë Papa shpresonte që do të mund të ndikonte në nxjerrjen e banorëve nga fabrikat dhe bodrumet ku po strehohen.

Edhe Ukraina në vazhdimësi ka kërkuar nga Rusia që të krijohen korridoret për civilët, të cilët aktualisht janë në kushte të vështira pa ujë dhe energji, si dhe në rrezik nga sulmet.

(Kosova Sot Online)