Ischinger pas takimit Kurti – Vuçiq: Normalizimi Kosovë -Serbi është vonuar, Lajçakut i duhet mbështetje urgjente

  • E.K /
  • 05 May 2022 - 08:59
Ischinger pas takimit Kurti – Vuçiq: Normalizimi Kosovë -Serbi është vonuar, Lajçakut i duhet mbështetje urgjente

Ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, i cili ka qenë edhe ndërmjetës në bisedimet Kosovë -Serbi në vitin 2007, vlerëson se normalizimi i raporteve mes dy vendeve është i vonuar, prandaj thotë se Lajçakut i duhet mbështetje urgjente.

Diplomati i njohur gjerman Ischinger, këtë vlerësim e ka dhënë pas takimit mes Kurtit e Vuçiqit të zhvilluar dje në Berlin. Me ç’rast falënderon Bundestagun gjerman për ringjalljen e përpjekjeve për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd.

“Faleminderit @Bundeskanzler për ringjalljen e përpjekjeve për të kapërcyer ndarjen midis Beogradit dhe Prishtinës. Kanë kaluar 14 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe është i vonuar! Miroslav Lajçak ka nevojë për mbështetje urgjente! @albinkurti”, shkruan Ischinger.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan të mërkurën në mbrëmje në një darkë joformale në Berlin, për herë të parë që nga korriku i vitit të kaluar.

Darka pasoi takimet e ndara të të dy udhëheqësve me kancelarin gjerman Olaf Scholz, në të cilat u diskutua, siç thuhet, bashkërendimi i reagimeve të mëtejshme ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë si dhe bashkëpunimin rajonal.

Kancelari Scholz kishte ftuar në Berlin të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Takimit i ishte bashkuar edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Kancelari gjerman Scholz tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, se një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi do të hapte rrugën për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

(Kosova Sot Online)