Vuçiq zbulon datën e takimit të radhës me Kurtin në Bruksel

  • E.K /
  • 05 May 2022 - 10:36
Vuçiq zbulon datën e takimit të radhës me Kurtin në Bruksel

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka takuar sot ministren e Jashtme të Gjermanisë, Analen Berbock.

Pas këtij takimi, Vuçiq deklaroi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 13 maj.

“Pozicioni ynë është i vështirë, tmerrësisht i ndërlikuar, me deklaratat e presidentit Putin edhe më tepër. Unë do të flas për këtë nesër. Kam frikë se do të jetë gjithnjë e më e vështirë ekonomikisht.”, deklaroi Vuçiq.

Ai theksoi se situata me Serbinë është vështirësuar shumë.

Vuçiq deklaroi gjithashtu se bisedimet e djeshme nuk ishin të thjeshta, por se është i kënaqur me interesimin e madh të qeverisë gjermane.

“Ky është një lajm i rëndësishëm.”, shtoi ai.

Presidenti serb gjithashtu theksoi se takimi i radhës në kuadër të dialogut, do të zhvillohet në Bruksel.

I pyetur nëse Serbia do të bëjë një kthesë në politikë pikërisht për shkak të “këtyre presioneve”, Vuçiq tha se Serbia është në rrugën e integrimeve evropiane dhe nuk devijon nga ajo rrugë.

“Ne jemi ushtarakisht neutralë, e do të mbetemi të tillë. Në ditën e tretë të ndërhyrjes në Ukrainë, ne shprehëm qartë qëndrimin tonë dhe sado e vështirë të ishte për 71 ditë, Serbia është në atë pozicion.”, shtoi ai.

Vuçiq po ashtu tha se Serbia do të vazhdojë të bëjë punën e saj.

“Do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Nesër do të flas për të gjitha pasojat e qëndrimit tonë, të gjitha problemet dhe cila do të jetë përgjigja jonë për atë çështje.”, tha ai.

(Kosova Sot Online)