Lëshojnë pe të dyja palët, Tahiri konfirmon se sot votohen dy Komisione hetimore për rrymën

  • E.K /
  • 05 May 2022 - 15:16
Lëshojnë pe të dyja palët, Tahiri konfirmon se sot votohen dy Komisione hetimore për rrymën

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka dhënë detaje mbi marrëveshjen me pozitën për themelimin e komisionit hetimor për krizën energjetike në Kosovë.

Tahiri ka thënë se kanë arritur marrëveshje që kërkesa e opozitës të realizohet siç kanë kërkuar.

Ashtu tha se do të veprohet edhe me kërkesën e pozitës.

”Kemi një dakordim që kërkesa jonë të realizohet sic kemi kërkuar. Ajo do të realizohet siç kemi kërkuar dhe po ashtu do të plotësohet edhe kërkesa e tyre për themelimin e komisionit hetimor. Do të kryesohet ashtu siç e kemi propozuar më herët. Asgjë nuk ka ndryshuar nga ajo që e kemi propozuar dhe ashtu do të miratohet sot”, ka thënë Tahiri.

Më tutje, Tahiri tha se janë për çdo hetim që zbardh të vërteta.

“Ne nuk jemi kundër asnjë hetimi që zbardh të vërteta se çfarë ka ndodhur, por ajo çfarë është e rëndësishme për ne është realizimi i një të drejtë kushtuese që na siguron kontroll mbi pushtet, mbi angazhimin e qeverisë në këtë periudhë, në këtë kohë krize”, tha ai.

(Kosova Sot Online)