“Luftanija u fundos aksidentalisht”, Rusia refuzon ta kompensojë familjen e një marinsi

  • E.K /
  • 06 May 2022 - 15:43
“Luftanija u fundos aksidentalisht”, Rusia refuzon ta kompensojë familjen e një marinsi

Autoritetet e Federatës Ruse e kanë informuar familjen e një prej pjesëtarëve të ekuipazhit në luftanijen e fundosur “Moskva”, se shteti nuk do ta kompensojë për humbjen e djalit të tyre, shkruan KyivPost.

Letra e shkruar nga Flota Detare ruse e Detit të Zi për Dmitriy Shkrebets, babai i Egor Shkrebetsit, që ishte pjesë e ekuipazhit të luftanijes ruse Moskva, është bërë publike sot, më 6 maj. Aty thuhet se fundosja e luftanijës më 14 prill ishte aksidentale dhe s’kishte të bënte me aksion ushtarak. Aty thuhet edhe se nuk dihet vendndodhja e Shkrebetsit.

Kësisoj, me vendim zyrtar të ushtrisë së Federatës Ruse, familja Shkrebets është diskualifikuar nga mundësia e kompensimit. Presidenti rus, Vladimir Putin, u kishte premtuar kompensim prej 12 milionë rublave (rreth 170 mijë euro) familjarëve të ushtarëve dhe marinsave rusë që vriten gjatë luftimeve që lidhen me Ukrainë.

Agjencitë e lajmeve ukrainase dhe ndërkombëtare, si dhe analistët ushtarakë kanë thënë se “Moskva” ishte qendra kryesore e komandës dhe kontrollit të operacioneve detare të Rusisë në Detin e Zi, prej kur Federata Ruse nisi sulmet ushtarake në Ukrainë.

Sipas deklaratave të Forcave të Armatosura të Ukrainës, dhe analistëve ushtarakë, luftanija ruse u fundos nga raketat e hedhura prej palës ukrainase. Pas zjarrit të vënë më 13 prill, ekuipazhi braktisi anijen e madhe ruse, e cila u fundos. 

(Kosova Sot Online)