Profesoresha që u sulmua fizikisht, thotë se nuk e zbraps grushti e as plumbi

  • E.K /
  • 11 May 2022 - 08:21
Profesoresha që u sulmua fizikisht, thotë se nuk e zbraps grushti e as plumbi

Profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi-Pupovci, është sulmuar fizikisht në vendin e saj të punës, nga prindi i një studenti, i cili është po ashtu mjek me profesion.

Sipas asaj që ka njoftuar Pupovci, ajo është sulmuar fizikisht nga Dr. Arsim Gashi, gjinekolog, i cili është ndarë i pakënaqur me notën që e ka vlerësuar ajo djalin e tij student.

E një ditë pas sulmit, Latifi-Pupovci është deklaruar sërish duke thënë se nota në lëndën që ajo e ligjëron, Fiziologji, nuk do të merret pa u merituar.

Duke shtuar se nuk e zbraps grushti e as plumbi.

“Nuk ka dhunë që më sprapsë nga parimet e mia, as grushti e as plumbi! Nota e Fiziologjisë nuk do të merret pa u merituar nga askush e as nga fëmijët e kolegëve të mi. Me dorën time nuk nënshkruaj mbytjen e fëmijës tim e fëmijës tuaj “nesër””, thuhet ndër të tjera në reagimin e saj sot.

Reagimi i saj i plotë:

Të dashur miq,

Ju falënderoj shumë për përkrahjen morale që po me jepni me reagimet e juaja ndaj një gjesti të shëmtuar e qyqarë!

Ju garantoj,

Nuk ka dhunë që më sprapsë nga parimet e mia, as grushti e as plumbi! Nota e Fiziologjisë nuk do të merret pa u merituar nga askush e as nga fëmijët e kolegëve të mi. Me dorën time nuk nënshkruaj mbytjen e fëmijës tim e fëmijës tuaj “nesër”.

Përgjithmonë e atyre që duan drejtësi e rend në këtë vend.

(Kosova Sot Online)