Eksperti i politikës së jashtme: U desh shumë kohë që Izraeli ta njohë Kosovën, por tani janë hapur shumë dyer

  • E.K /
  • 11 May 2022 - 12:25
Eksperti i politikës së jashtme: U desh shumë kohë që Izraeli ta njohë Kosovën, por tani janë hapur shumë dyer

Eksperti Nimrod Goren, themelues dhe udhëheqës i Institutit Izraelit për Politikat e Jashtme Rajonale, tha se “duket se shumë dyer po hapen” pas njohjes së Kosovës nga ana e Izraelit.

Goren publikoi një fotografi të ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla me të ngarkuarën me punë të Kosovës në Izrael, Ines Demiri, ndërsa shkroi se “ishte kënaqësi” ta takonte kryediplomaten.

“Iu desh kohë Izraelit për ta njohur Kosovën, por tash që e bëri këtë – duket se shumë dyer po hapen për bashkëpunimin dypalësh. Vizita e kësaj jave në Izrael nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla – Schwarz e ilustron këtë, dhe ishte kënaqësi ta takoja në një pritje të drejtuar nga Ines Demiri”, shkroi ai në Twitter.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e ka përfunduar vizitën e saj të parë në Izrael me disa takime me përfaqësuesit e Parlamentit të këtij shteti. Në kuadër të vizitës bilaterale në Izrael, zëvendëskryeministrja vizitoi dje parlamentin e Izraelit ku u takua me përfaqësues të ndryshëm të Knesset-it.

Delegacionin e Kosovës gjatë vizitës tre ditore në Izrael e shoqëroi edhe ambasadorja e Izraelit për Kosovën, Tamin Ziv dhe drejtori për Ballkanin pranë Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Dani Oryan.

(Kosova Sot Online)