I njohuri për dhunë në familje në Prizren sërish në pranga të Policisë, bën gruan për spital

  • E.K /
  • 12 May 2022 - 11:28
I njohuri për dhunë në familje në Prizren sërish në pranga të Policisë, bën gruan për spital

Tre muaj pasi u arrestua për sulm ndaj vëllezërve e xhaxhait, Agron Saramati, 38-vjeçar nga Prizreni, ka përfunduar sërish në prangat e Policisë. I njohur për dhunë në familje, viktimë e Sarmatit kësaj radhe ishte gruaja e tij. Ai dyshohet se dje, në orët e mëngjesit ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.

Policia e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprën penale “dhunë në familje”.

Kjo nuk është hera e parë që Agron Saramati është në telashe me ligjin. Para disa muaj ai qëndroi një muaj në paraburgim pasi dyshohej për disa vepra penale.

Sinjali ju sjellë detajet e rastit të mëhershëm

Më 12 shkurt të këtij viti, Agron Saramati u prangos nga Policia pasi sulmoi vëllezërit në shtëpinë e tyre, ku njërin e la pa vetëdije, e tjetrin e rrahu me grushte. Rasti ndodhi pas një debati që vëllezërit kishin pasur për shkak të disa mosmarrëveshjeve paraprake në familje.

Agroni dyshohet se  fillimisht e kishte goditur njërin nga vëllezërit e tij me gotë qelqi në vetull, me ç’rast të njëjtit i kishte humbur vetëdija dhe mori trajtim mjekësor në spital, derisa kishte përdorur forcë edhe ndaj vëllait tjetër, duke e goditur me grushte. Përveç vëllezërve, nga sulmi i tij kishte pësuar edhe xhaxhai, të cilin e kishte goditur me gotë në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Edhe në rastin e shkurtit, bashkëshortja e Agronit kishte qenë viktimë. Pasi 38-vjeçari bëri kërdi me anëtarët e tjerë të familjes, ai iu kishte drejtuar gruas tij me fjalët “e kam një plumb, me atë plumb ka me të vra”.

Atë kohë, pas arrestimit të tij, Policia i kishte konfiskuar një AK-47 me një fishek.

Agron Saramati ka qëndruar një muaj në paraburgim, masë kjo e caktuar nga Gjykata Themelore në Prizren për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, lëndim i rëndë trupor, sulmi, lëndim i lehtë trupor dhe kanosja.

(Kosova Sot Online)