Vuçiq: Para pesë minutave Gërvalla ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës

  • E /
  • 12 May 2022 - 12:03
Vuçiq: Para pesë minutave Gërvalla ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Pas darkës që kishte organizuar mbrëmë në Bruksel shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, e ku kishte marrë pjesë edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, doli informata se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Një informacion të tillë e kishte bërë publik në një konferencë për media, presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic.

Ndërkohë sot kreu i shtetit serb, Aleksander Vucic, gjatë një ngjarjeje diku në Serbi, ka folur për mediat, pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim sot që të nis procedurat për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Vuçiq ka thënë se para pak minutash kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla edhe zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe sipas tij një vendim i tillë është “shkelje e Marrëveshjes së Washingtonit”.

“Dua t’iu informoj se para pesë minutave Gërvalla ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.Kështu Prishtina tregoi se ka shkelur brutalisht marrëveshjen e Wasingtonit, pasi ka shkelur për dhjetë vjet marrëveshjen e Brukselit si dhe Rezolutën 1244”, ka thënë Vuçiq, shkruan Tanjug.

 Shefi i shtetit serb thotë se do të bëjnë gjithçka për t’iu kundërpërgjigjur veprimeve të Kosovës, megjithatë thekson se pas këtyre veprimeve qëndrojnë shtetet kryesore të Perëndimit.

“Ne do të bëjmë çmos që të tregojmë se mund të luftojmë, ta mbrojmë vendin tonë. Mentorët e Prishtinës janë shumë më të fortë, kjo lojë udhëhiqet nga vendet kryesore perëndimore, dhe ne jemi një vend i vogël që ruan sovranitetin e tij dhe të drejtën për të vendosur”, ka thënë Vucic.

Presidenti serb ka thënë se “s’ka tërheqje as dorëzim para shantazhit sepse pala e kundërt do të bëjë gjithçka që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”

Derisa ka folur edhe për synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-së duke thënë se Kosova ka marrë përkrahjen e fortë të SHBA-së.

Në fund Vuçiq ka pyetur se pse SHBA-të e kanë ftuar Serbinë në Washington meqë sipas tij në rastin e parë e shkelën Marrëveshjen e Washingtonit dhe se është e qartë që duan që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

(Kosova Sot Online)