Arrestohet rreshteri në Pejë, i shkaktoi lëndime të rënda trupore koleges së tij

  • E.K /
  • 16 May 2022 - 10:36
Arrestohet rreshteri në Pejë, i shkaktoi lëndime të rënda trupore koleges së tij

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor në Pejë, me gradën rreshter, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”, ndaj një zyrtareje policore.

Informacionet e para hetuesit e IPK-së lidhur me këtë rast i kishin pranuar nga Policia e Kosovës në Pejë se një zyrtar policor (me gradën e rreshterit) jashtë detyrës zyrtare është i përfshirë si i dyshuar në një rast të lëndimit të rëndë trupor.

“Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Prokurorin  kujdestar kanë ndërmarrë disa veprime hetimore kurse viktima (zyrtare policore) është dërguar për trajtim mjekësor”, njofton IPK.

Pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosje”.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)